×
  • Lajme
  • Lajme / Pasuesi i Lajçak

    Finlanda thotë se s’ka paraqitur ndonjë kandidaturë për pozitën e Emisarit të BE’së për Dialogun, ishin përfolur dy emra

    Reporteri
    07 Janar 2025 | 19:51

    Derisa ishte afruar fundi i mandatit të emisarit sllovak, Miroslav Lajcak, në postin e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, në media ishin përfolur dhe kishin qarkulluar emra të ndryshëm si zëvendësues potencial.

    Ndër emrat e përfolur kanë qenë edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto, dhe Kai Sauer i cili është aktualisht i angazhuar si ambasador i Finlandës në Gjermani.

    Megjithatë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës kanë konfirmuar se ky shtet s’ka pasur kandidatura për pozitën e Përfaqësuesit Special të BE-së për ndërmjetësimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Finlanda nuk ka paraqitur kandidatë për këtë pozicion – si shumë të rëndësishëm”, kanë thënë në një përgjigje për Express nga MPJ e Finlandës, në pyetjen nëse Haavisto dhe Sauer kanë aplikuar dhe nëse MPJ e Finlandës është përfshirë për të përkrahur të njëjtit, duke qenë se pozita e Përfaqësuesit Special është tepër e rëndësishme.

    Në qershor të vitit të kaluar nga zyra e ish-kryediplomatit finlandez Pekka Haavisto kishin thënë se ai s’ka koment lidhur me çështjen e mundësisë së angazhimit të tij si pasues i Miroslav Lajcak.

    Ndërkohë ambasadori finlandez në Gjermani, Kai Sauer, kishte thënë se do të vazhdojë të kontribuojë sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nga pozita e tij prej ambasadori.

    “Që nga dy detyrat e mia në OKB lidhur me Kosovën, fillimisht me UNMIK-un dhe më pas me UNOSEK-un, ndihem i përkushtuar ndaj rajonit dhe i kam ndjekur nga afër zhvillimet në dhe rreth Kosovës. Jam përpjekur të mbështes procesin e normalizimit Kosovë-Serbi në funksionet e mia të ndryshme si diplomat finlandez. Kjo është ajo që planifikoj të bëj edhe në pozicionin tim aktual si ambasador i Finlandës në Gjermani”, kishte thënë Kai Sauer më 5 qershor 2024.

    Përveç Haavisto dhe Sauer, është përmendur edhe emri i diplomatit danez, Peter Sorensen, si i mundshëm për ta pasuar sllovakun, Miroslav Lajcak.

    Ish-presidenti slloven, Borut Pahor, i cili kishte shprehur hapur interesimin e tij për ta pasuar emisarin sllovak, Miroslav Lajcak, tash së fundi përmes një letre ka konfirmuar se s’ka kandiduar për të marrë pozitën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Këtë njoftim e ka bërë më 3 janar 2025, ditën kur kishte përfunduar afati për aplikime për pozitën e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

    Mandati i Miroslav Lajcak do të skadojë më 31 janar 2025 dhe pritet të shihet se kush do të jetë emri i ri që BE do të përzgjedh për të ndërmejtësuar procesin kompleks të dialogut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!