Kosova ka shënuar fitore sonte ndaj Irlandës Veriore. “Dardanët” shënuan tri gola, derisa pranuan dy. Kjo fitore i dedikohet legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit, i cili sot ka përvjetorin e katërt të vdekjes. Ndeshja e radhës së Kosovës do të jetë kundër Greqisë, ku synon fitore për të dalë në krye të grupit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Paraqitje fantastike kishin sonte djemtë e Kombëtares së Kosovës në ndeshjen me Irlandën Veriore, ku shënuan tri gola.
Ishte Vedat Muriqi, ai i cili si për rastësi shënoi golin e parë nga penalltia, në minutën e nëntë, që njihet edhe si minuta që i kushtohet legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit, i cili mbante këtë numër në fanellën e tij.
Në çdo ndeshje të Kombëtares së Kosovës minuta e 9-të simbolizohet me brohoritjet e tifozëve me emrin e tij.
Sot, shënohet edhe përvjetori i katërt i vdekjes së tij. Fadil Vokrri kishte ndërruar jetë pas një sulmi kardiak më 9 qershor 2018, 14 ditë pa i mbushur 58 vjet, duke i lënë të shokuar të gjithë me këtë ikje të papritur dhe të hershme.
Nuk vonoi shumë, e Kosova shënoi edhe për herë të dytë. Ishte futbollisti Zymer Bytyqi, ai i cili shënoi në minutën e 19-të, pas asistimit nga Milot Rashica.
Golin e tretë për Kosovën e shënoi sërish Vedat Muriqi.
“Dardanët” pranuan edhe dy gola nga Irlanda Veriore.
Këtë ndeshje e përcolli nga afër edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili u ngrit në këmbë pas çdo goli.
Me këtë fitore, Kosova renditet e dyta në grupin e 2-të të Liges C të Ligës së Kombeve.
Kosova i ka 6 pikë, tre më pak sesa Greqia që aktualisht i ka 9.
Ndeshja e radhës e Kosovës do të jetë pikërisht kundër Greqisë, ku Kosova synon fitoren, në mënyrë që të dalë në krye të grupit./Reporteri.net.