Në ditën e dytë të gjykimit në Hagë, sot fjalën mbrojtëse e dhanë para gjyqit avokatët e Veselit, Thaçit e Selimit, ndërsa këta dy të fundit thanë edhe fjalën e tyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Seanca nisi me mbrojtjen e Thaçit i cili mohoi të gjitha pretendimet e Prokurorisë së Specializuar.
Avokati Gregory Keohe tha se Hashim Thaçi, nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime. Ai tutje tha se Thaçi e ka pasur mbështetjen e SHBA-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare e s’ka pasur pse të merrte pjesë në krime sepse do ta humbte atë mbështetje.
“Thaçi e dinte shumë mirë se Kosova s’mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së e vendeve të tjera perëndimore. Kishte motivin për të mos u angazhuar në krime për të mos humbur këtë mbështetje”, tha ai.
“Hashim Thaci nuk ka mundur të nënshkruaj marrëveshjen e Rambujesë pa pëlqimin e komandantëve rajonal. Ai ka udhëtuar në Slloveni për të marrë pëlqimin e Adem Demaçit, i cili refuzonte marrëveshjen e Rambujesë. Madje edhe vet ish-sekretarja amerikane, Medeline Albright e kishte telefonuar Demaçin për ta bindur”, ka thënë avokati amerikan.
Por, Keohe thotë se Thaçi s’e ka mohuar asnjëherë që janë kryer krime të luftës, por këto sipas tij, s’janë bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Gjatë fjalës së mbrojtjes së Thaçit, në seancën gjyqësore Jakup Krasniqi u pa i përlotur e duke fshirë lotët.
Avokati Keohe në fjalën zbuloi edhe një bisedë të Joe Biden, tashmë president i ShBA-ve, se atëkohë i kishte thënë Thaçit se “unë e di që ti nuk e kontrollon UÇK-në”.
Gjatë shpalosjes së argumenteve mbrojtëse, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka prezantuar një video në të cilën ultra-nacionalisti serb Vojislav Seselj kërcënonte se “nëse NATO do të bombardonte Serbinë, do të kishte ca viktima serbe, por asnjë shqiptarë nuk do të mbetej në Kosovë, shkruan Reporteri.net.
Pas avokatit, ish-presidenti Hashim Thaçi në fjalën e tij para Speciales në Hagë tha se është i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij. Thaçi tha se ndjen keqardhje për viktimat e luftës, dhe se sipas tij një padrejtësi nuk rregullohet nga një padrejtësi tjetër.
Në anën tjetër, për dallim nga Thaçi, Veseli nuk mori fjalën e tij para Speciales. Avokati i tij, Ben Emmerson tha se kundër Kadri Veselit nuk ka asnjë provë e as dëshmitarë se ai ka kryer ndonjë prej veprave me të cilat po ngarkohet nga prokuroria.
Në fjalën e tij, Rexhep Selimi, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se nuk ka frikë nga drejtësia, por që nga padrejtësia duhet të kenë të gjithë.
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se vendosi t’i linte të gjitha për t’ia bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por, gjatë fjalimit të tij, Selimi tha se ani pse donin të organizonin ushtri, nuk ia arritën një gjë të tillë, e ani pse donin të mundnin Serbinë, ai theksoi se ajo gjë u arrit vetëm me ndihmën e shteteve nga jashtë.
Mbrojtësi i Rexhep Selimit, avokati Geoffrey Roberts në lidhje me pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar se UÇK-ja ishte një ushtri e mirë organizuar dhe me strukturë funksionale, sipas avokatit këto pretendime të ZPS-së nuk qëndrojnë.
Ai ka shtuar se aktakuza ndaj Selimit dhe e të tjerëve është bërë bazuar në raportin e Dick Martyt.
Avokati gjatë fjalës së tij e ka krahasuar edhe luftën e Kosovës me atë të Ukrainës, teksa ka thënë se ka ngjashmëri pasi po luftohet për çlirim.
Sipas tij, ZPS-ja po përpiqet të bëjë përgjegjës Selimin dhe të bashkakuzuarit e tjerë për gjithçka që ka ndodhur në Kosovë, madje edhe në pjesë të Shqipërisë, për gjatë gjithë periudhës së aluduar nga aktakuza.
Roberts tha se Prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës që vendosin të nisnin luftë për liri.
Ai po ashtu tha se gjatë deklaratë hyrëse të ZPS-së, ky institucion iu referua masakrave në Kosovë, sikurse ajo në Prekaz të Skenderajt “si ngjarje” dhe sipas tij, ky mohim i krimit të serbëve ndaj shqiptarëve “nuk është asgjë tjetër veçse manipulim i ZPS-së”.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
Të katërtit, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm./Reporteri.net/