Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri e ka mohuar nisjen e negociatave për një Qeveri gjithëpërfshirëse dhe përfshirjen e Partisë Demokratike të Kosovës në të, që është duke u komentuar shumë ditëve të fundit, pas lajmërimeve për aktakuzë nga Gjykata Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, shkruan Reporteri.net.
I pyetur nga gazetarët gjatë prezantimit të Ligjit për Qeverinë, zëvendëskryeministri ka thënë se nuk ka pasur diskutime për një Qeveri gjithpërfshirëse.
“Jemi të gjithë në pritje se cka do të ndodhë, deri në shtator do të dihet a do të ketë apo nuk do të ketë aktakuzë. Mirëpo, deri tash ai nuk ka aktakuzë. Nuk ka asnjë diskutim rreth kësaj pune, plus nuk është kryetar i PDK. Ne e kemi shumicën. Nuk ka asnjë diskutim. Mund ta konfirmoj se nuk ka asnjë lloj diskutimi”, ka thënë zëvendëskryeministri Tahiri.
Ditë më parë është raportuar me informacione nga burime të besueshme brenda partive se kanë nisur negociatat për t’u futur në qeveri edhe PDK e AKR, për të krijuar kështu një qeveri gjithëpërfshirëse me partitë që aktualisht qeverisin, duke përjashtuar vetëm VV-në.
Filli i kësaj ideje erdhi të premten e kaluar bashkë me takimet e para. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka mbajtur takim të paparalajmëruar me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj. Gjatë ditës ka pasur edhe takime të tjera.
Ndryshe, Kosova po ballafaqohet me situatën më të brishtë politike, pasi për pak muaj po mendohet të ndryshohet për të dytën herë përbërja qeveritare, e për të disatën herë në vitet e fundit.