Driton Salihu, drejtor në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, ka bërë të ditur se deri më sot nuk është paraqitur asnjë person i infektuar me koronavirusin e ri Covid-19.
Ai thotë se aktualisht Lugina e Preshevës po përjeton ditë të vështira, ndërsa tregon se nuk po ndihmon nga asnjëra qeveri shqiptare, por shton se nuk është momenti të bëhet me gisht drejt tyre.
“Lugina e Preshevës në këto momente po përjeton momente të vështira, por unë mendoj se nuk është momenti që tani ti fajësoj qeveritë shqiptare, si në Shqipëri ashtu dhe Kosovë, por ta dini se për Preshevën nuk ka pas asnjë interesim të veçantë nga asnjëri pushtet së paku që unë kur jam drejtor i Shtëpisë së shëndetit, tre vitet e fundit. Besoj se kanë kapacitete të na ndihmojnë, jo aq sa ndihmon Serbia serbët që jetojnë në Kosovë kur dihet se me miliona euro investohet si në shëndetësi ashtu edhe në jetën e përditshme. Një është e qartë, qytetarët e Preshevës gjithmonë kanë kontribuar në Kosovë, andaj janë shumë të revoltuar me qeveritë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, pasi ne po përdoremi veç për interesa dhe politika ditore”, ka thënë ai për Reporteri.net.
Ai thotë se Shtëpia e Shëndetit në Preshevë me kohë ka ndërmarrë masat e duhura ndaj kësaj pandemie.
“Kemi hapur ambulancën CoVID e cila punon me orar 07-22, çdo ditë, ku mjekët tanë trajtojnë vetëm pacientët të cilët kanë simptome febrile si temperaturë, ethe apo edhe vështirësi në frymëmarrje. Pas kontrollimit nga mjeku, pacientët i nënshtrohen në mënyrë obligative edhe analizave laboratorike si dhe rentgenin e mushkërive. E gjithë kjo që e kemi bërë është të mos përzihen pacientët kronik që vijnë për terapi të rregullt pasi secili pacient e ka mjekun e zgjedhur. Këtu terapia e pacientëve shkruhet sipas mundësive me telefon, pasi tek ne funksionin sistemi i recetave elektronike dhe pacienti merr terapinë për 9 muaj pa pas nevojë më të shkojë tek mjeku, po ai shkon drejt në barnatore për barna, kështu kemi zvogëluar kontaktin e pacientëve të dyshuar me Corona virus me ata të kronik e që vuajnë nga sëmundje tjera. Gjithashtu Ne kemi edhe shërbimin e ndihmës së shpejtë që punon 24 orë në 7 ditë në javë pandërprerë”, thotë ai për Reporteri.net.
Doktori Salihu thotë se janë të furnizuar në mënyrë solide që të mbrohet personeli mjekësor si me maska, dorëza dhe pajisje tjera. /Reporteri.net/.