Isa Mustafa i cili u zgjedh të shtunën për herë të tretë në krye të LDK-së, ka thënë se ai nuk e ka ndërmend të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër dhe se subjekti që udhëheq do të zgjedhë një person që e “bën më së miri këtë punë”.
Por Mustafa nuk ka dhënë emra se kush mund të jetë kandidati i kësaj partie për shef të qeverisë.
“Unë sigurisht do të bëj përpjekje që të gjejë një kandidat tjetër brenda LDK-së dhe vetë të mbaj timonin e LDK-së, por do të bëjmë përpjekje që bashkërisht të diskutojmë më Këshillin e Përgjithshëm, Këshilli vendos për atë çështje dhe unë tani jam i orientuar që në këtë pozitë të jetë një njeri që ta bëjë mirë këtë punë dhe ta ketë besimin e qytetarëve të Kosovës. Do të gjejmë zgjidhje të brendshme, e cila çon nga njeriu i cili e bën më së miri këtë punë, dhe natyrisht që ka përkrahjen e plotë të LDK-së dhe të qytetarëve”, ka thënë Mustafa në një intervistë për Evropa e Lirë, shkruan Reporteri.net.
Ndërsa duke folur për mundësinë e koalicioneve parazgjedhore, Mustafa ka thënë se partia që ai udhëheq, dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje, por ka lë të hapur mundësinë që ky qëndrim të ndryshojë.
“Ne jemi përcaktuar parimisht që të shkojmë vetë dhe të matemi para qytetarëve, mirëpo e gjithë kjo varet nga ajo se çfarë do të bëjnë tjerët, sepse nëse tjerët bëhen bashkë atëherë edhe ne duhet ta mendojmë alternativën tjetër. Por, parimisht ne i kemi ftuar edhe partitë tjera që të matemi para opinionit si parti se kush del i pari, i dyti, i treti e të tjera dhe pastaj pas raundit të parë, pas vlerësimit të qytetarëve, pastaj të bëjmë edhe koalicione varësisht nga programet politike dhe se çfarë mund t’i ofrojmë vendit në qeverisjen e ardhshme”, ka deklaruar ai.
Mustafa nuk ka dashur të për preferenca të veçanta se me cilën parti do të kishin bërë koalicion parazgjedhor, sepse thotë se duhet ta diskutojnë në organet e LDK-së.
“Do të bëjmë koalicion me atë që mendojmë se e drejton mirë Kosovën, do të luftojmë korrupsionin, krimin, do të ketë progres në zhvillimin ekonomik, në integrimet evropiane, ato euroatlantike edhe në procesin e dialogut i cili është përpara nesh”, ka pohuar ai.
Ndërsa i pyetur për bisedimet me Serbinë, Mustafa ka pohuar se ato duhet t’i udhëheqë kryeministri në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kurse për taksën, ka deklaruar se ajo duhet të vazhdojë derisa Serbia të mos ndërrojë qëndrimet e veta dhe përderisa mos të reflektojë në të gjitha sjelljet e bllokadës që po i bën Kosovës. /Reporteri.net/.