Deputetja e Kosovës, Flora Brovina, e cila tronditi opinionin me një fotografi ku pretendohej që dukeshin ushtarë serbë teksa dhunonin një grua shqiptare, ka dhënë sot një deklaratë në Polici pas raportimeve se fotografia ishte e rreme.
Brovina para pak minutash ka folur për mediat lidhur me këtë çështje ku ka thënë se nuk ishte në dijeni se fotoja ka qenë e falsifikuar. Ajo ka rrëfyer se foton e ka marrë në dorë në vitin 2003 dhe se i është thënë që ajo është realizuar diku në rrafshin e Dukagjinit, shkruan Reporteri.net.
Brovina ka thënë se foton e ka marrë në vitin 2003 nga nënkryetarja e Komisionit për Personat e Zhdukur, Mevlyde Mezini Saraçi dhe një aktivist për të drejtat e njeriut, për të cilin ka thënë se nuk ia di emrin.
“Kurrë skam mendu se dikush mund të më sjellë dokumente që nuk janë të verifikuara dhe të sakta prandaj me guxim e kam përdorë. Nuk kam besuar se ky dokument nuk do të jetë i saktë. Dokumentin ma ka sjellë Kryetarja e Komisionit për Persona të Zhdukur në vitin 2003, Mevlyde Saraçi. Mas kaq kohe të quhet dokument i falsifikuar më vjen shumë keq. Ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj prapa fajësisë sime. Kam pasë informatën e saktë prej këtyre dy personave me të cilët kemi nda të vërtetën, se ngjarja ka ndodhur diku në Dukagjin. Personi tjetër ka qenë aktivist i të drejtave të njeriut të cilit nuk ia di emrin. Mezidja ma ka pru zarfën dhe më ka thënë se kjo grua është 35 vjeçare dhe e di rastin”, është shprehur Brovina.
Ajo ka thënë se pas këtij rasti është e gatshme edhe të japë dorëheqje nga posti i deputetes. /Reporteri.net./.