Policia e Kosovës ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë ka ndodhur sot në Prishtinë, ku një foshnje e porsalindur është gjetur e vdekur në një qese mbeturinash e lënë në afërsi të një deponie të mbeturinave në rrugën “Qëndresa”.
Policia e Kosovës ka thënë se foshnja është gjetur e pajetë dhe është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci për gazetën online Reporteri.net tha se Policia është lajmëruar sot rreth orës 11:00 për rastin.
“Sot rreth orës 11:00, policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë. Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është pa shenja jete. Përderisa trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen.”, ka thënë Borovci për gazetën online Reporteri.net.
Borovci ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke kërkuar që çdo person që ka informacione në lidhje me rastin të njoftojë Policinë e Kosovës.
Rasti për gazetën online Reporteri.net u konfirmua edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori kujdestar është njoftuar për rastin aktual, është në ndërmarrjen te gjitha masave dhe veprimeve hetimore për këtë çështje. Per me shume informacione ju njoftojmë ne vazhdim”, tha Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala.
Foshnja e porsalindur gjendet pranë deponisë së mbeturinave në Prishtinë, Prokuroria fillon hetimet