Drama ‘Ku është Behgjet Pacolli’ është duke vazhduar.
Dyshimet se kreu i AKR-së ka hyrë mbrëmë në Kosovë, në mënyrë ilegale, përmes kufirit me Shqipërinë, në Verimicë, i ka ngritur edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, përmes një konferencë për media.
Ai, tha se, dyshohet se kjo ka ndodhur përmes Presidentit të vendit Hashim Thaçi, dhe eskortës së tij, mbrëmë, shkruan Reporteri.net.
Paralajmëroi edhe arrestimin e Pacollit dhe dërgimin e tij në karantinë, sapo të haset nga Policia.
Ajo që dihet është se Pacolli dje pasdite, nga Zvicra, ka ateruar me avionin e tij privat, në Tiranë.
Derisa sot është raportuar për lëvizje të ndryshme në afërsi të shtëpisë së tij në Hajvali të Prishtinës, madje edhe u pretendua se sot ka qëndruar edhe eskorta e Presidentit Thaçi aty, Reporteri.net sjell foto ‘live’ nga rezidenca e deputetit Pacolli.
Në momentin kur janë shkrepur këto foto, pak minuta më parë, nuk është parë ndonjë lëvizje përreth shtëpisë së kreut të AKR-së, partisë e cila me vetëm dy deputetë në Kuvend, pritet të marrë hise në Qeverinë e re.