Përfaqësuesi i Francës në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, Jay Dharmadhikari, u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që t’i kthehen dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ai ka folur edhe për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, që kanë kaluar në dy lexime në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se këto ndryshime janë në ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Reklamë

“Franca kërkon nga Kosova që plotësisht t’i respektojë obligimet ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin gjyqësor të Dhomave të Specializuara”, tha ai.

Dharmadhikari ka thënë se është e papranueshme që edhe tri vjet pas sulmit në Banjskë, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, fajtorët për sulmin nuk janë sjellë para drejtësisë.

“Nuk është e pranueshme që përgjegjësitë për Banjskën të mbeten në liri. Autorët e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë e të mbahen përgjegjës”, tha ai.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë hapa konkretë drejt marrëdhënieve që çojnë në stabilitet dhe angazhim në dialog.

Përfaqësuesja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, ka thënë se paqja mes dy shteteve është esenciale.

Reklamë

E, Britania e Madhe i ka bërë thirrje Serbisë që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin, të dalin para drejtësisë. Përfaqësuesja e Britanisë në OKB, Jennifer MacNaughtan, ka përmendur edhe vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se tre vjet nga sulmi dhe Serbia nuk ka ndërmarrë asgjë.

Në deklaratën e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ajo ka kërkuar gjithashtu që Serbia të ofrojë qasje në arkiva për të mundësuar përparim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Përfaqësuesit e Rusisë dhe të Kinës në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara kanë folur për “sulme e shkelje të të drejtave të serbëve” në Kosovë.

Ata po ashtu ndër të tjera janë ankuar edhe për vendimin e KFOR-it për optimizmin e trupave pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Reklamë