Britania e Madhe i ka bërë thirrje Serbisë që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin, të dalin para drejtësisë. Përfaqësuesja e Britanisë në OKB, Jennifer MacNaughtan, ka përmendur edhe vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se tre vjet nga sulmi dhe Serbia nuk ka ndërmarrë asgjë.
Në deklaratën e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ajo ka kërkuar gjithashtu që Serbia të ofrojë qasje në arkiva për të mundësuar përparim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Kanë kaluar më shumë se 3 vite nga sulmi i Banjskës dhe vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku. Vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë që ata që janë përgjegjës të sillen para drejtësisë. Përfshirë Radoiçiqin i cili kërkohet nga Interpoli”, deklaroi ajo.
Britania ka mirëpritur formimin e institucioneve të Kosovës dhe ka kërkuar nga shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit që t’i bashkohen shumicës së shteteve njohëse.
Përfaqësuesja britanike ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë dhe të ardhmen evropiane të të dyja vendeve. Ajo u ka bërë thirrje palëve që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, si dhe zotimet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Normalizimi mbetet esencial për stabilitet afatgjatë. I ftojmë të dyja palët t’i zbatojnë marrëveshjet, përfshirë atë të Ohrit në tërësi, dhe duke i plotësuar zotimet e nenit 7 për të lejuar vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë”, tha ajo.
“Kemi vënë re ato që janë përmendur në raport për sa i përket disa veprimeve të Kosovë, veçanërisht në veri. Kushtetuta e Kosovës ofron garanci gjithëpërfshirëse për të drejtat e tyre të cilat do të implementohen tërësisht në praktikë dhe në pajtim me sundimin e ligjit. Serbia duhet të ofrojë qasje në arkivat për të siguruar përparim për personat e zhdukur. Mbi 1500 persona nga të gjitha komunitetet mbeten të pagjetur, mbi 25 vjet pas konfliktit”, ka thënë Jennifer MacNaughtan.
Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministri njëherit ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit ka thënë se Serbia ka vrarë 12 mijë njerëz të paarmatosur e të pafajshëm në Kosovë, duke iu drejtuar ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq që nuk e tha asnjë fjalë për krimet serbe gjatë fjalës së tij.
Konjufca ka thënë se kjo quhet mohim i drejtësisë.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, Konjufca ka folur edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara të cilat shpallën fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë, Konjufca deklaroi se pavarësisht që u theksua që UÇK-ja nuk është në gjykim dhe nuk është qëllimi që të humben vlerat e luftës çlirimtare, shteti i Kosovës do të punojë që në shkallën e Apelit të korrigjohet padrejtësia.
E, Përfaqësuesja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, ka thënë se paqja mes Kosovës dhe Serbisë është esenciale.
Ka shtuar tutje se SHBA-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket misionit të UNMIK-ut, duke theksuar se ai “ka jetuar shumë më gjatë” se që ka qenë nevoja për të.
E përfaqësuesja e Danimarkës në Këshillin e Sigurimit në OKB, Christina Markus Lassen, ka thënë se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është mënyra për të arritur deri te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka thënë se suksesi varet nga vullneti i dyja palëve dhe se duhet zbatuar marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Ajo ka thënë se Kosova duhet të ecë para me themelimin e Asociacionit e ka shtuar se edhe Serbia duhet t’i zbatojë zotimet e marra.