Përfaqësuesit e Rusisë dhe të Kinës në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara kanë folur për “sulme e shkelje të të drejtave të serbëve” në Kosovë.
Ata po ashtu ndër të tjera janë ankuar edhe për vendimin e KFOR-it për optimizmin e trupave pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Përfaqësuesi i Kinës, Sun Lei ka thënë se është shqetësues ky vendim dhe ka nxitur frikë te komuniteti serb, ndërsa ai rus ka thënë se është lëvizje shumë e rrezikshme.
Përfaqësuesi i Kinës ka thënë se duhet arritur marrëveshje e pranueshme për të dyja palët, e të “respektohet sovraniteti, e integriteti territorial i Serbisë”.
Ai ka bërë thirrje që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa vonesa.
Ndërkohë që si herave të tjera, përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit në OKB, Vasily Nebenzya, ka pretenduar për keqtrajtim e jetesë të vështirë të serbëve që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Ai ka kritikuar Bashkimin Evropian për kinse anshmëri pro Kosovës, e shmangie të Beogradit.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë hapa konkretë drejt marrëdhënieve që çojnë në stabilitet dhe angazhim në dialog.
Përfaqësuesja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, ka thënë se paqja mes dy shteteve është esenciale.
E, Britania e Madhe i ka bërë thirrje Serbisë që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin, të dalin para drejtësisë. Përfaqësuesja e Britanisë në OKB, Jennifer MacNaughtan, ka përmendur edhe vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se tre vjet nga sulmi dhe Serbia nuk ka ndërmarrë asgjë.
Në deklaratën e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ajo ka kërkuar gjithashtu që Serbia të ofrojë qasje në arkiva për të mundësuar përparim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.