×
  • Lajme
  • Lajme

    Fshati Korishë i Prizrenit futet në karantinë

    Reporteri
    02 Prill 2020 | 22:22

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytah Haskuka ka njoftua se fshati Korishë do të futet në karantinë. E kjo pasi në këtë fshat u konfirmuan tri raste me coronavirus, shkruan Reporteri.net.


    Haskuka ka  thënë se erdhën deri te ky vendim për shkak se IKShPK nuk e ka gjetur burimin e infeksionit për rastin e tretë pozitiv.

    Ai ka kërkuar nga qytetarët të respektojnë masat, sepse siç ka thënë ato po bëhen për të mirën e tyre.

    Njoftimi i plotë:

    Të dashur qytetarë,

    Sot kemi pasur rastin e tretë me virusin COVID-19 në komunën e Prizrenit, respektivisht me vendbanim në Korishë.

    Ndryshe nga 2 rastet e tjera kur është konstatuar burimi i infektimit dhe janë identifikuar të gjitha kontaktet, në rastin e fundit personeli nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit.

    Prandaj me rekomandimin e IKShPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Shëndetësisë sot ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat. Vendimi hyn në fuqi nga sot dhe obligohen të gjithë t’i respektojnë masat.

    Këto masa janë për parandalim dhe janë për të mirën e të gjithëve, prandaj t’i respektojmë.

    Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me institucionet është më se i domosdoshëm për luftimin e koronavirusit. Personeli i IKShPK-së në vazhdimësi është duke kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

    I ftoj të gjithë kontaktet e personit që të vetizolohen për dy javë dhe nëse kanë simptome të telefonojnë në numrin 038 200 80 800.

    Të ndihmojmë stafin mjekësor profesional që të bëjnë punën e tyre duke respektuar masat.

    Mbetshi me shëndet!

    Mytaher Haskuka

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!