×
  • Lajme
  • Lajme

    FSK-ja do t’i lirojë objektet në rast se eskalon situata pandemike

    Reporteri
    12 Shtator 2021 | 12:00

    Departamenti i Mjekësisë në ministrinë e Mbrojtjes janë të gatshëm të ofrojnë ndihmën e tyre në rast të rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 dhe rëndimit të gjendjes me pandeminë.


    Këtë e konfirmoi drejtori i këtij departamenti, koloneli Xhevdet Tahiraj.

    “Unë e përfaqësoj ministrinë e Mbrojtjes në disa komisione që kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë Covid-19 në nivel vendi, edhe ministri e ka paraqitur si kapacitet qendrën tonë mjekësore në rast të eskalimit të rritjes enorme të rasteve me infeksion. Edhe na jemi pjesë e Kosovës dhe në rast se kërkohet një gjë e tillë ne jemi të obliguar që të hapim kapacitetet tona në drejtim të ofrimit të shërbimeve mjekësore, për shkak të pandemisë”.

    Tahiraj thotë se varësisht nga nevojat e ministrisë së Shëndetësisë kanë ofruar shërbime nga më të ndryshmet, si në dërgim të tendave për spitale, ofrim të personelit, por edhe në aspektin logjistik.

    “Unë thashë edhe në fillim që institucionet të cilat janë marrë  me menaxhimin e pandemisë, ne si FSK i kemi ndihmuar në shumë drejtime si në aspektin logjistik kudo që ata kanë pasur nevojë e si në dërgimin e kontenjerëve nëpër pika kufitare, pastaj dërgimin e tendave para shumicës së spitaleve si QKUK dhe të tjera, si dhe dërgim të personelit tonë në qendra spitalore që t’i mbështesim ata. Pra ne jemi në dispozicion të tyre”, tha ai për Ekonomia Online.

    Sipas tij, aktualisht asnjë nga pjesëtarët e FSK-së nuk është i infektuar me Covid-19 dhe shumica nga ta e kanë kaluar pa ndonjë problem të rëndë shëndetësor.

    “Ne në raport me institucionet e tjera e kemi një fat dhe jemi pak më mirë sa i përket pandemisë. Po flas në aspektin e sëmundjes si pasojë e infeksionit me virusin Covid, sepse ne pothuajse shumica e ushtarëve janë mosha të reja, janë të shëndoshë dhe fatmirësisht deri tani nuk kemi pasur ndonjë rast të rëndë me Covid-19 dhe fatmirësisht të gjithë pjesëtarët tonë e kanë kaluar shumë mirë pa ndonjë komplikim”.

    Sa i përket kapaciteteve mjekësore, Tahiraj thotë se janë duke u avancuar në këtë drejtim si në shkollim ashtu edhe në fushën e trajnimeve.

    “Jemi duke i ngritur apo rritur kapacitetet tona mjekësore, si në trajnim ashtu edhe në shkollime gjithmonë në fushën e mjekësisë, pasi këtu tek ne janë dy lloje të mjekësisë e sidomos ajo ushtarake-fushore dhe ne në këtë aspekt bëjmë trajnime nga më të ndryshmet duke u mësuar që ti mësojmë edhe në fushën e shkathtësive ushtarake”.

    “Nuk jemi keq me kapacitetet, aktualisht neve na u kanë kthyer edhe katër kadetë të cilët ne i kemi shkolluar në universitetin mjekësor ushtarak në Turqi, tani kanë përfunduar fakultetin dhe kanë filluar punë te ne”.

    Ai tha se janë duke i respektuar të gjitha rekomandimet  për t’u mbrojtur sa më mirë ndaj virusit Covid-19.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!