Pas takimit të parë zyrtar si kryeministër me presidentin, Hashim Thaçi, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në dialog Kosova do të shkojë e koordinuar nga i gjithë spektri politik, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka përsëritur edhe një herë një ftesë për opozitën, që t’i bashkohen në një koordinim politik e institucional rreth dialogut me Serbinë.
Një të tillë ai e tha edhe para dy dite, por nuk dihet nëse ka përgatitur një ftesë zyrtare, me shkrim, apo gjithçka ende është në kuadër të konferencave për shtyp dhe studiove televizive, shkruan Reporteri.
“Unë sot kisha një takim me presidentin e vendit me kërkesën time për ta njoftuar lidhur me pozicionin e Qeverisë së Kosovës lidhur me pozicionin e dialogut. Unë kam pasur takime me të gjithë partnerët e koalicionit. Kam bërë ftesa për opozitën. Edhe sot përmes juve i ftoj ata që të pranojnë të na dëgjojnë çfarë kemi për të thënë për procesin e dialogut. Platformën e kemi bërë publike në një konferencë në AShAK. Ky proces është i të gjithë qytetarëve dhe partive. Do të mundohem të krijoj një konsensus të plotë mes të gjitha forcave politike për një proces të rëndësishëm. Ne jemi në pikë kur duhet të përmbyllet ky proces dhe është me rëndësi të jemi së bashku në këtë proces”, tha Hoti.
Por, cila është përgjigja e opozitës karshi ftesave të Hotit? Nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ajo që ka komentuar ftesat e Hotit. Në një postim në Facebook, Nagavci ka lënë të nënkuptohet se VV-ja nuk do të pranojë të ulet në grupe të tilla.
“Ish zv.Kryeministri i shkarkuar i Qeverisë Kurti, tash Kryeministër i Qeverisë jolegjitime, z. Hoti paska deklaruar: “Unë do të mundohem të krijoj një konsensus të gjerë në mes të forcave politike dhe me udhëheqësit tjerë të institucioneve të Kosovës”, ka shkruar ajo.
Nagavci ka thënë se para se të përmbyllet marrëveshja me Serbinë duhet të përmbyllet në mënyrë legjitime krijimi i institucioneve.
“Si mund të mendosh se mund të krijosh konsensus me partinë fituese të zgjedhjeve, me subjektin më të madh në Kosovë, të cilin e rrëzove nga pushteti me mbështetjen e subjekteve që humbën zgjedhjet, e që vet i patët kritikuar për keqqeverisje e keqpërdorime të shumta, pra me PDK, AAK, Listën Srpska, Nisma? Si mund të presësh konsensus pasi krijove Qeveri jolegjitime e të varur nga Lista Srpska dhe me vullnetin e mbështetjen e plotë të Presidentit Thaçi? Pra, në kohë të rëndësishme për vendin, kur po tentoni të përmbyllni marrëveshjen me Serbinë, Ju dhe krerë të LDK po deklaroheni për konsensus të gjerë, kur s’do të keni as konsensus të brendshëm. Nga njëra anë Lista Srpska ju kushtëzon tërësisht dhe lehtësisht, e në anën tjetër Presidenti që ashtu si e mundësoi krijimin e kësaj Qeverie jolegale me vizita nate në shtëpi deputetësh ju ka në dorë. Pra, s’keni kredibilitet të flisni për konsensus të brendshëm e as për përfaqësim të jashtëm. Para se të përmbyllet marrëveshja me Serbinë duhet të përmbyllet në mënyrë legjitime krijimi i inistitucioneve. Zgjedhje për Qeveri legjitime. Kredibilitet për përfaqësim të dinjitetshëm”, ka shkruar ajo, transmeton Reporteri.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë ndërkaq shprehen se nuk kanë marrë kurrfarë ftesë zyrtare nga Qeveria.
“Ne nuk kemi pranuar një ftesë zyrtare. Nëse ajo vjen ne do ta shqyrtojmë dhe do të flasim për pozicionin tonë”, ka thënë për Reporterin, zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi.
Ditë me parë, kur Hoti bëri ftesën e parë, nga PDK thanë se nuk janë serioze ftesat që vijnë nga studiot televizive.
“Nuk mund të komentojmë asgjë ndaj një ftese që nuk ekziston si realitet deri në këto momente. Ftesat nga studiot dhe deklarimet publike të zyrtarëve të ndryshëm nuk janë serioze dhe fatkeqësisht flasin për qasjen e mbrapshtë që po ndjek kjo qeveri për dialogun dhe seriozitetin që po tregon ndaj këtij procesi shumë të rëndësishëm. Për kryeministrin e qeverisë së status-quos duke se më i rëndësishëm është uniteti i akademikëve dhe mbështetja e tyre se sa e partive politike”, ka thënë Bytyçi para disa ditëve.
Nesër në Kosovë do të qëndrojë Miroslav Lajçak, emisar i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi. Ndaj vizitës së tij dhe rolit në dialog ka folur sot ashpër Presidenti, Hashim Thaçi. Ai ka lënë të nënkuptohet se nuk do ta takojë nesër Lajçakun. Thaçi tash e disa ditë po insiston për një rol kryesor të Amerikës, në dialog.
“Unë nuk jam i informuar për agjendën e vizitës së zotit Lajçak në Kosovë. Nuk është koha të hapen çështje teknike apo pretendime për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran nëse vjen me këtë qasje se duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë. Çdo qasje tjetër është çështje e dështimit të tij në Kosovë. Lajçak duhet ta kuptojë para së gjithash se qytetarët kanë nevojë për viza e jo fjalime të kota”, tha sot ai./Reporteri