Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thirrur një mbledhje të Grupit Parlamentar pas letrës që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e ftuar në një koalicion të mundshëm.
Lajmin e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka bërë të ditur se shefja e Grupit Parlamentar, Hykmete Bajrami, i ka ftuar deputetët për një takim të brendshëm.
“Paska shkruar Hykmete, ‘nëse jeni afër, hajdeni në grup’. Tani po shkoj,” është shprehur Gashi në një deklaratë për gazetarët.
Sot, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka kërkuar përmes një letre bashkëpunim për krijimin e institucioneve LDK-së së Lumir Abdixhikut.
“Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetët e LDK-së, së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar kreut të LDK-së.