Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar pas takimit që anëtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës kanë zhvilluar më 22 maj me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Madje, Kryetarja e AKK-së, Naime Binaku- Isufi deklaroi se Bislimi u ka kërkuar të marrin masa ndaj kompanive, duke ndërhyrë kështu në punën e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës.
Dy ditë para këtij takimi, AKK i kishte refuzuar ftesën për një takim Bajramit, duke u thirrur në pavarësinë e institucionit. Bajrami ka thënë se ata se kanë idenë çka është profesionalizmi dhe pavarësia, shkruan Reporteri.net.
“Autoriteti i Konkurrencës me datë 20 maj ka dalë me njoftim se refuzon të marrë pjesë në Kuvendin e Kosovës ku do të diskutohej çështja e konkurrencës në tregun e energjisë edhe pse sipas Ligjit ”Autoriteti është agjenci e pavarur, që për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës” derisa “Ndalohet çdo ndërhyrje, politike, publike ose private që mund të cenojë pavarësinë ose paanshmërinë e Autoritetit”, por me datë 22 maj paska shku në takim në zyrën e zv.kryeministrit Besnik Bislimi. Një lutje kam, mos u thirrni në profesionalizëm e pavarësi se as idenë se keni çka janë ato koncepte nuk e keni!”, ka shkruar Bajrami.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka ndërhyrë në punën e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës.
Bislimi të enjten e 22 majit, ka ftuar në takim kryetaren e AKK-së, Naime Binaku- Isufi, nënkryetaren Kaltrina Sela, anëtaren Nafije Osdautaj si dhe drejtorin e përgjithshëm Selajdin Beqa.
Kryetarja Binaku-Isufi ka thënë se me zëvendëskryeministrin Bislimi kanë diskutuar për rastet që autoriteti i ka në hetim.
Sipas saj Bislimi ka kërkuar marrjen e masave ndaj kompanive që kanë shkelur Ligjin e Konkurrencës.
“Me i trajtu rastet dhe me marrë masa, me marrë vendime, vendim ndaj masave për shkeljen e konkurrencës”, ka deklaruar ajo për “Betimi për Drejtësi“.
E pyetur se për cilat raste konkretisht ka kërkur Bislimi që të merren vendime nga Komisioni i Konkurrencës, ajo ka thënë “Qat kartelin që e kanë zënë në Gjakovë, e kemi pas që u kanë dhe ne media, marrëveshja për çmimin për bukën që u rrit 60-70 cent”.
Tutje, kryetarja Binaku-Isufi ka thënë se me zëvendëskryeministri Bislimi kanë diskutuar edhe për hetimin që autoriteti është duke e zhvilluar ndaj kompanisë “Devolli Corporation” dhe “Kujtesa net”.
Si dhe ka shtuar se të njëjtin e ka informuar edhe për rastet e tjera të telekomunikimit të cilat i ka në tavolinë, por për të cilat nuk po mund të marrë masa në mungesë të kuorumit.
E pyetur specifikisht nëse Bislimi ka kërkuar të merret vendim për rastin e “Devollëve”, ajo e ka konfirmuar këtë.
“Po, po i thash unë që unë i kam 4 raste të telekomunikimeve që po më presin me marrë”
Asaj i është përsëritur pyetja, nëse Bislimi specifikisht ka kërkuar vendim për rastin e “Devollëve” me “Kujtesën”, ku ka deklaruar “Popo, gjithëqysh gjithqysh rastet që i kemi d.m.th, na i kemi të gatshëm krejt janë bë hetimet janë gjet provat, neve na mungon vendimmarrja që s’kemi kuorum”.
Por, përfshirja e Qeverisë në rastet që janë duke u hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës, dhe rekomandimet e tyre për shqiptimin e masave është veprim i kundërligjshëm.