×
  • Lajme
  • Lajme

    Pensionohet vëllau “problematik” i Presidentit, punëtorët e Byrosë së Sigurimeve ftohen t’i blejnë dhuratë

    Reporteri
    25 Qershor 2019 | 17:55

    Njeriu i cili prej vitesh ka pushtet të madh në Byronë Kosovare të Sigurimeve, Gani Thaçi, vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, do të pensionohet të premten.


    Nga e premtja, Gani Thaçi nuk do të ushtrojë asnjë pozitë në byronë ku kishte shërbyer si drejtor ekzekutiv e pastaj edhe si koordinator.

    Nga një email i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të cilin e ka siguruar Insajderi, është mësuar se të punonjësit e kësaj byroje kanë organizuar një drekë lamtumirëse për nderë të pensionimit të Gani Thaçin.

    “Me rastin e pensionimit të parakohshëm të Koordinatorit z. Gani Thaçi ftoheni të gjithë te premten me datë 28.06 ditë e Premte ora 12:00 që të merrni pjesë në një drekë lamtumirëse që kemi organizuar për nder të bashkpunimit disa vjeçar”, thuhet në e-mailin e BKS-së.

    Zyrtarët e BKS-së kanë përgatitur edhe një befasi për Thaçin në ditën e pensionimit të tij.

    “Iu lutem nëse shihni se dikush nga stafi mungon ose që kam harruar ta përfshijë në e-mail e njoftoni. Gjithashtu jemi interesuar ta blejmë një dhuratë me vetfinancim secili sipas mundesisë në kontribut”, thuhet në e-mail, shkruan Insajderi.

    E, pensionimi i Gani Thaçit nga Byroja Kosovare e Sigurimit përbën lajm të gëzueshëm për diasporën kosovare.

    Është pikërisht Gani Thaçi, njeriu me shumë ndër vite në BKS, i cili ka udhëhequr politikat e kësaj byroje, e të cilat kanë dëmtuar financiarisht diasporën e Kosovës përmes polisës ndërkombëtare të sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës, që njihet si Kartoni i Gjelbër.

    Qindra miliona euro kanë përfituar kompanitë e sigurimeve në Kosovë me arsyetimin se vendi nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër.

    Sipas të dhënave, rreth 10 milionë euro llogaritet të jetë vlera vjetore e grumbulluar nga tarifat e sigurimeve kufitare në Kosovë.

    Milionat e Departamentit të Kartonit të Gjelbër të Byros Kosovare të Sigurimeve, prej gati dy vitesh menaxhohen nga Edona Ahmeti, reja e Gani Thaçit.

    Gazeta Insajderi pati shkruar për emërimin e saj me 11 gusht të vitit të kaluar, dy ditë pas vendimit nga Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!