Edhe pse tashmë janë të hendikepuar si parti, pasi ju mungon Kadri Veseli i cili gjendet në Hagë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, thotë se partia e saj është e gatshme për zgjedhje të reja.
Ajo thotë se si parti edhe pse e ndjejnë shumë mungesën edhe të organizimit dhe vendimmarrjes me mungesën e kryetarit Veseli, janë gati të përballen me çdo sfidë dhe proces.
“Nëse vjen deri tek shkuarja në zgjedhje, PDK i ka strukturat funksionale dhe do të përgjigjemi në rrethanat që krijohen”, ka deklaruar Musliu për REPORTERI/INTERVISTA.
E pyetur për koalicionet e mundshme, ajo ka thënë se ato nuk janë tema që PDK tani për tani i ka në tavolinën e diskutimit.
Musliu thotë më tej se PDK është parti institucionaliste që mbi të gjitha e sheh shtetin e Kosovës, dhe se gjendja politike në Kosovë është e tillë që nuk ta jep luksin të mendosh për veten.
“Duhet të gjithë të kontribuojmë dhe të godasim me një pikë të përbashkët. Nuk është temë e PDK-së pozicioni i partisë, por çka të bëjmë më të mirën për Kosovën”, ka thënë ajo.
/Reporteri.net/.