×
  • Lajme
  • Lajme

    Garanci për lirimin me kusht të krerëve të UÇK-së, flet ish-komandanti Rufki Suma

    Reporteri
    03 Maj 2021 | 16:40

    Ish-komandanti i UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha ka thënë dje se presidenti i Kroacisë është treguar i gatshëm të bëhet garant i lirimit me kusht të ish krerëve të UÇK-së që janë arrestuar nga Gjykata Speciale, të cilët gjenden në Hagë.


    E kjo mundësi garantimi për lirim me kusht e mbrojtje në liri, siç thotë Berisha nga adresat e komunikimit institucional zyrtarë që ka do të vijnë edhe nga Austria edhe nga Sllovenia.

    Ai ju bëri apel institucionit të Presidentes, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit që të parashtrojnë kërkesën zyrtare, por jo te jetë selektive, siç kishte bërë kryeministri Kurti kur ofroj garancione të tilla vetëm për anëtarin e subjektit të tij politik, Rexhep Selimi.

    Gazeta Online “Reporteri.net” për këtë çështje ka biseduar me ish-komandantin e UÇK-së, Brigada 164 “Gafurr Loku”, Rufki Suma, që njiherit është edhe kryetar i Hanit të Elezit.

    “Është radha e Presidentes, Vjosa Osmani ose Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti apo Kryeparlamentarit, Glauk Konjufca që të veprojnë institucionalisht”, tha ai.

    “Vlerësoj jashtëzakonisht shumë kur një shtet mik apo më shumë në situata të tilla të garantojnë”, thotë Suma për Reporteri.net.

    Ai thotë se edhe institucionet e vendit duhet të veprojnë, vetëm nëse shtetet në fjalë zyrtarisht thonë se janë të gatshme të japin garancionin për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    “Nëse shtetet mike janë të gatshme të japin garancion për lirimin e krerëve të UÇK-së, padyshim se shteti ynë duhet të veprojë dhe të japë garanci që të lihen të lirë me kusht”, thotë Suma.

    Ai më tej shton se shteti ynë nëse është nevoja duhet të kërkojë edhe nga shtetet mike që na kanë njohur të ofrojnë garanci.

    “Nëse kjo është në rregullore që sa më shumë shtete të japin garancinë për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë, Republika e Kosovës duhet të kërkojë tek shtetet mike që të bëjnë të njejtin veprim si Kroacia dhe dy shtetet tjera”, thotë Suma.

    Por, Feim Tahirsylaj, këshilltar për media i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka reaguar duke e quajtur të pavërtetë deklarimin e ish-komandantit Hisen Berisha.

    “Lajm i rremë! Eksponenti i PDK-së, Hisen Berisha, ka tentuar sot të dezinformojë opinionin përmes një gënjeshtre publike apo, më mirë të themi, një thashethemnaje çajtoresh në stilin “m’tha njoni”. Nuk ka asnjë informacion të konfirmuar nga ana e presidentit të Kroacisë se kinse ai “është ofruar të jetë garant në Gjykatën Speciale për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët për mbrojtje në liri”, siç trillon Berisha. Duket sheshazi se prapavija e kësaj gënjeshtre, mbase të qëllimshme, ishte shigjetimi publik i krerëve të shtetit, përkatësisht Presidentes, Kryekuvendarit dhe Kryeministrit. Mund të jetë i kuptueshëm deridiku sikleti dhe mllefi i një opozitarizmi pa kauza, por kauzat nuk ndërtohen me muhabete çajtoresh – jo!”, ka shkruar Feim Tahirsylaj në faqen e tij në Facebook.

    Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar si lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i kishte shkruar një letër gjyqtarit të Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, për lirimin nga burgu të Rexhep Selimit.

    Në letër Kurti kishte shkruar se Rexhep Selimi është një person i përpiktë në detyrat që ka marrë përsipër.

    Ai kishte lutur gjyqtarin Guillou që ta merr në konsideratë gjithë vlerësimin për karakterin dhe integritetin e Rexhep Selimit.

    Por gjykatësi Guillou e kishte refuzuar kërkesën e Kurtit, pasi në vendim kishte thënë se deklarata të tilla nuk e eliminojnë rrezikun që Rexhep Selimi të arratisej në rast të lirimit.
    “Gjykatësi i procedurës paraprake është po ashtu i vetëdijshëm për bashkëpunimin e Z. Selimi me hetuesit e ZPS-së, dorëzimin e tij vullnetar për arrestim.

    Lidhjet e tij të forta familjare dhe profesionale me Kosovën dhe Prishtinën në veçanti, dhe deklaratat që përshkruajnë karakterin e tij të mirë janë faktorë që e zvogëlojnë, por nuk e eliminojnë rrezikun e arratisjes”, thuhej në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Speciale për ta mbajtur Selimin edhe më tutje në paraburgim.

    Kujtojmë se Kadri Veseli dje erdhi në Kosovë, ku nga Specialja bëri të ditur se ai është liruar për ta vizituar babain e tij, i cili është në gjendje jo të mirë shëndetësore. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!