Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se partia e tij i qëndron vendimit të saj për të mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare.
Me ç’rast, Gashi tha se në seancat e ardhshme në Kuvend, mbetet të shihet nëse Lëvizja Vetëvendosje do të gjejë ndonjë deputet për miratimin e ligjeve, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Në mbledhjen e radhës së Kryesisë u diskutua që të kemi dy seanca plenare, por mbetet të shihet Lëvizja Vetëvendosje a i ka votat e nevojshme. Sa i përket situatës në vend përgjegjësia mbetet mbi kryeministrin e Kosovës. Ka katër seanca të jashtëzakonshme që VV-ja nuk ka marrë pjesë, mbetet të shihet të mërkurën dhe të enjten a mund të gjejnë Lëvizja Vetëvendosje ndonjë deputet për të miratuar ligjin”, ka deklaruar Gashi pas mbledhjes së Kryesisë.
Tutje, Gashi tha se bindja e LDK-së është për të mbrojtur interesin e shtetit, derisa ka përmendu numrin e rënies së deputetëve brenda VV-së.
“Pse Vetëvendosje prej 58 deputetë ka rënë në 50 qenka faji i LDK-së. Kurse LDK-ja ka përkrahur dhe ka qenë konstruktive. Nëse këto janë fajet ne jemi të gatshëm t’i mbajmë sepse kemi shikuar interesin e qytetarëve. A është diçka në kohë kjo Qeveri, qëndrimi ynë ka qenë konstruktiv edhe për Asociacionin, ne e kemi këshilluar me zgjidh çështjen sepse bindja jonë është për të mbrojtur interesin e shtetit”, ka potencuar tutje Gashi.
/Reporteri.net/.