Shoqata e Gastronomëve të Kosovës bën thirrje urgjente tek institucionet publike të Republikës së Kosovës, që të aprovojnë kërkesat e tyre lidhur me zgjatjen e orarit të punës të lokaleve të tyre si dhe zgjatjen e orarit të personave fizik jashtë shtëpive të tyre deri në orën 24:00.
Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, SHGK bëjnë të ditur se deri më tani asnjë nga kërkesat e tyre nuk është trajtuar siç duhet, shkruan Reporteri.net.
Tutje në njoftim thuhet se pas mbledhjes së jashtëzakonshme të kësaj shoqate të thirrur nga kryetari Petrit Kllokoqi, do të dihen edhe aktivitetet e ardhshme të cilat do të aplikohen në frekuencë të njëjtë me veprimet apo mosveprimet e pushtetit.
Ky është njoftimi i plotë:
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës iu bën thirrje urgjente institucioneve publike të Republikës së Kosovës që të aprovojnë kërkesat e saj, tashmë të njohura për publikun, lidhur me orarin e funksionimin të subjekteve të shërbimeve të Gastronomisë dhe lidhur me zgjatjen e orarit të qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre deri në orën 12:00 në mesnatë.
Përveç Peticionit të përpiluar më dt. 01/09/2020 dhe Kërkesës lidhur me shfuqizimin e pikave 2 dhe 18 të Vendimit nr. 01/17 të parashtruar më dt. 09/09/2020 e të protokoluara nga Zyra e Kryeministrit, gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Qeverisë së Kosovës.
SHGK ka kërkuar në secilin takim zyrtar dhe jozyrtar që ka realizuar, që me prioritet të lartë të merren kërkesat e saj, mirëpo deri më tani asnjë nga to nuk është trajtuar siç duhet.
Andaj, lidhur me shqetësimet që ka sektori i gastronomisë sa i përket gjendjes aktuale në të gjithë vendin, SHGK gjithmonë do ti dëgjojë ato dhe do ti dalë në mbrojtje, sa herë që e kërkon nevoja apo urgjenca në rastin konkret.
Në kuptim të aktiviteteve të ardhshme për të cilat do të vendoset që të aplikohen, bëhet e ditur nesër pas Mbledhjes së Jashtëzakonshme të thirrur nga Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës Petrit Kllokoqi, në Kuvendin e Anëtarëve të Shoqatës, duke ju siguruar se ato gjithmonë do të jenë demokratike dhe në frekuencë të njëjtë me veprimet apo mosveprimet e pushtetit.
SHGK /Reporteri.net