×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi politik

    Gati dy orë në presidencë, Kurti ende në takim me Osmanin

    Reporteri
    02 Korrik 2025 | 12:04

    Janë bërë  gati dy orë që kur ka nisur takimi i presidentes Osmani me kreun e VV-së, Albin Kurti, pjesë e një serie takimesh që e para e vendit pritet t’i ketë sot dhe nesër lidhur me krijimin e institucioneve.

    Kurti nuk ka folur para mediave në nisje të takimit.

    Ftesa e Osmanit për krerët politik erdhi pas dështimit të 40’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe një takimi të pasuksesshëm të krerëve politikë të shtunën.

    Pas Kurtit, e para e vendit pritet ta presë për takim kreun e PDK-së, Memli Krasniqi. Takimi mes tyre pritet të zhvillohet në ora 13:30, mëson gazeta online Reporteri.net.

    Pastaj do të takohet me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe në fund kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn. Këto takime do të zgjasin deri në orën 16:00.

    Partitë politike nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh. Kushtetuesja ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

    Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi. Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti pati të shtunën me krerët e partive të tjera.

    Ndonëse pati propozime, ky takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, dolën nga takimi me kritika ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke e quajtur këtë takim një farsë dhe pa asnjë vullnet real për kompromis.

    Në anën tjetër Kurti deklaroi se VV-ja si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte ofruar dy opsione kompromisi, por ato ishin refuzuar nga ish-opozita. Ai theksoi se partia e tij ka përgjegjësi për formimin e qeverisë, por formimi i Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

    “Propozimet e kompromisit”, siç i ka quajtur Kurti, kanë të bëjnë me votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.

    Kurti akuzoi PDK-në dhe LDK-në për keqlexim të aktgjykimit të Kushtetueses.

    Kosova po hyn në muajit e pestë të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe në muajin e tretë që kur është mbajtur seanca e parë për konstituimin e Kuvendit. Që nga 15 prilli, seanca konstituive ka dështuar në 40 vazhdime të saj. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!