Gati sa nuk plas grushti në ‘Loyola’, a po shkatërrohet shkolla më e suksesshme në Kosovë

Shkarkimi i drejtorit gjerman, Dr. Atë Axel Bödefeld, nga ana e bordit të Gjimnazit “Loyola” në Prizren, në mes të prillit 2019, po krijon telashe në këtë kolegj privat, i njohur si më i suksesshmi në Kosovë.


Këshilli i prindërve të nxënësve të “Loyola Gymnasium” po del të jetë kundër këtij vendimi të bordit drejtues të kësaj shkolle, që më 12 prill 2019, në prag të shënimit të 14 vjetorit të funksionimit të këtij kolegji privat, shkarkoi priftin jezuit nga detyra e drejtorit gjeneral të shkollës.

Sipas prindërve, largimi i drejtuesve gjermanë nga shkolla e vë në pasiguri funksionimin e kolegjit.

E ky shqetësim i tyre ka prodhuar tensione në takimin e prindërve me drejtuesit e rinj të kësaj shkolle.

Takimi është mbajtur të hënën në ambientet e gjimnazit “Loyola” në Prizren, shkruan Reporteri.net.

Kërkesa e prindërve ka qenë që bordit të ndryshojë vendimin e para dy muajsh të bordit.

E në këtë situatë është përfshirë edhe kryetari i degës së AAK-së në Prizren, Lulëzim Kabashi. Por, Kabashi ndryshe nga prindërit e shkollës, ka qenë në mbrojtje të vendimit të bordit.

Arsyetimet e tij se pse shkolla mund të funksionojë edhe pa drejtuesit gjermanë, i kanë bërë të qeshin prindërit tjerë që ndodheshin në sallë.

Për këtë, siç shihet në një video të siguruar nga Gazeta Online “Reporteri.net”, Kabashi është përplasur fort edhe me një prind, saqë nga foltorja ai kërkon që ta dëgjojnë dhe ta mbyllin gojën.

“Ti po më kallxon mu… Hajt se dalim jashtë”, dëgjohet duke thënë Kabashi në video.

Video në fjalë shfaq edhe momente të tjera, kur disa prind pengojnë që në foltore të mbajnë fjalime anëtarët e bordit të “Loyola Gymnasium”, që shkarkuan drejtorin gjerman nga detyra e drejtorit gjeneral të kolegjit.

Për gjendjen e krijuar në këtë shkollë, para pak javësh pati reaguar edhe Ipeshkvia e Kosovës, si anëtarë të bordit të shkollës. Ata theksonin se situata e krijuar në këtë shkollë, ka ndikuar që “Loyola” të bëhet objekt i mosbesimit, pasigurisë, përçarjes dhe lakmisë së personave të caktuar.

Kolegji gjerman “Loyola Gymnasium” i hapur në vitin 2005 në Prizren, konsiderohet si shkolla më e suksesshme në Kosovë, qysh nga funksionimi i saj. Rezultatet e nxënësve të kësaj shkolle kanë dëshmuar në vazhdimësi për cilësinë e arsimit në këtë kolegj.

Dr. Atë Axel Bödefeld, prifti jezuit nga Gjermania, i shkarkuar nga bordi i shkollës, ishte sjellë në krye të kolegjit si pasues i gjermanit tjetër P. Walter Happel, që ishte drejtor nga themelimi i kësaj shkolle. Jezuitet si themelues të këtij kolegji në Kosovë, njihen për rrjetet e shkollave të suksesshme në shumë vende të botës.

Shkarkimi i tij nga kjo shkollë e vë kolegji e themeluar nga Jezuitet dhe shteti gjerman në duart e drejtuesve vendorë, të cilët janë emëruar, po ashtu, nga disa anëtarë vendorë të bordit të kësaj shkolle. /Reporteri.net/.