×
  • Lajme
  • Lajme

    Gavrilo Milosavleviq lirohet nga akuza për masakrën në burgun e Dubravës

    Reporteri
    16 Qershor 2025 | 14:35

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për krime lufte, Gavrilo Milosavleviq.

    Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës akuzohej për krime lufte kundër popullatës civile.

    Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësi Vesel Ismaili, i cili tha se nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

    Po ashtu, të akuzuarit Milosavleviq iu ndërpre masa e paraburgimit

    Shpenzimet e procedurës bien mbi barrën e gjykatës. Ndërsa, të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civilë shqiptarë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëkryerje me njësitë policore serbe, Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve, ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.

    Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë, kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë.

    Në aktakuzë përmendet se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga, ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se rojet kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ia kishin ndalur frymëmarrjen.

    Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohej se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. /BetimipërDrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!