×
  • Lajme
  • Lajme

    Gaxherri e LDK-së: Takimet me VV-në janë të rregullta, jo për koalicion

    Reporteri
    23 Korrik 2019 | 21:30

    Ndërsa deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, tha se janë duke u takuar dhe po bisedojnë me LDK-në për mundësinë e lidhjes së koalicionit parazgjedhor edhe pse nuk ka asgjë konkrete, zyrtarë të partisë së Isa Mustafës thonë se për këtë çështje vendosin organet e reja të partisë.


    Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë me VV-në kanë takime të rregullta prej që janë në opozitë, por thotë se nuk ka një vendim në parti që të ndërtohen koalicione parazgjedhore dhe nuk mund të ketë pa u zgjedh organet e reja drejtuese të partisë.

    “Sa jemi të njoftuar mes organeve të partisë, Këshilli i Përgjithshëm nuk ka marrë asnjë vendim për hyrje në koalicion parazgjedhor me asnjë subjekt politik. Duhet të kryhet së pari procesi zgjedhor, procedurat për datën e zgjedhjeve e pastaj për koalicionin. Takimet me Vetëvendosjen janë të rregullta prej që jemi në opozitë, qoftë lideri me liderin apo grupet parlamentare, por për të biseduar për koalicione është marrë qëndrim në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm që nuk ka asnjë koalicion”, ka deklaruar Gaxherri për Reporteri.net.

    Ajo thotë se organet e reja drejtuese të partisë që do të dalin nga Kuvendi i 3 gushtit do të vendosin për koalicione parazgjedhore apo jo.

    “Për me bo një koalicion duhet me pas vendimin e Këshillit të Përgjithshëm të ri të partisë, sepse jemi në proces zgjedhor, pa u kry Kuvendi nuk mundemi me mbledh as Këshillin e Përgjithshëm. Njëherë për njëherë nuk ka një marrëveshje”, ka deklaruar Gaxherri.

    Kujtojmë se deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu tha në një deklaratë për Reporteri.net se janë duke u takuar me partinë e Isa Mustafës dhe duke biseduar por se deri më tani nuk ka asgjë konkrete ende. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!