Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli ka thënë se trajtimi që po u bëhet gazetarëve dhe kameramanëve që po përcjellin takimet mes krerëve të VV-së e LDK-së është është tërësisht jokorrekt, i papranueshëm dhe joprofesional, përcjellë Reporteri.net.
Sipas saj, derisa këto takime po zgjasin me orë të tëra, gazetarët janë të detyruar të presin jashtë në temperatura të ulëta. Ajo ka kërkuar që të ndërmerren masa urgjente në mënyrë që gazetarët të trajtohen në mënyrë dinjitoze. Ndryshe, ajo ka thënë se si AGK do të kërkojnë nga gazetarët bojkotimin e përcjelljes së takimeve mes LDK-së e VV-së.
“Tërësisht e papranueshme, jo korrekte, jo profesionale, për më tepër edhe jo humane, trajtimi i gazetarëve dhe xhiruesve gjatë përcjelljes së takimeve në mes VV e LDK. Përderisa këto takime zgjasin me orë të tëra, gazetarët janë të detyruar të qëndrojnë jashtë, në temperatura të ulëta. Kërkojmë që urgjentisht të merren masa që kolegët tonë të trajtohen me korrektësi, në mënyrë dinjitoze dhe mos të vazhdoj edhe më tutje ky trajtim jo human. Nëse gazetarët e xhiruesit do të vazhdojnë edhe me tutje të ballafaqohen me këtë trajtim, ne si AGK do të kërkojmë nga kolegët tonë bojkotimin e përcjelljes së takimeve, ku anëtarët e komunitetit tonë shpërfillen dhe pengohen në kryerjen e detyrës së tyre”, thuhet në reagimin e saj.