Gazetarja dhe aktivistja për të drejtat e grave Mirja Lakso nga Suedia, erdhi në Kosovë për punuar në një artikull për një revistë suedeze rreth dhunës në familje, por ajo thotë se përfundoi e kërcënuar dhe e shantazhuar, shkruan Reporteri.
Gazetarja suedeze rrëfen se gjithçka nisi kur në një portal kosovar u keqcitua një postim i saj i bërë në rrjetin social Facebook, ku ajo tregonte se është duke punuar në artikullin për dhunën në familje në Kosovë dhe lidhur me këtë kishte publikuar edhe disa të dhëna nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.
Postimi i saj u publikua në media e ku aludohej se gazetarja tashmë kishte publikuar artikullin, derisa ajo në fakt ishte ende duke punuar në të.
Gjatë të njëjtës ditë, ajo rrëfen se ka pranuar një email nga një prej organizatave më të mëdha të grave në Kosovë, ku i thuhet se nuk mund t’i ndihmojnë më lidhur me punën për dhunën në familje në Kosovë.
“Në email, ata më thonë se nuk do të më ndihmojnë më në punën time lidhur me dhunën në familje në Kosovë. Në të njëjtën email, ata gjithashtu sqarojnë se për shkak të publikimit tim të një artikulli në lidhje me dhunën në familje pa u këshilluar me ta ata, “do të reagojnë natyrisht. Edhe shumë më tepër”.
“Kjo më bëri të ndihem shumë e stresuar dhe e kërcënuar. Sepse nuk e dija se çfarë po planifikonin të më bënin. Çfarë do të thoshte kjo “shumë më tepër”, rrëfen ajo.
Gazetarja suedeze shpjegon se pasi përmes emailit u shpjegoi atyre se është keqcituar nga një portal, rrejti i grave bënë një reagim publik, por megjithatë ata nuk dhanë asnjë informacion rreth kësaj ngjarje.
“Sipas mendimit tim, deklarata e tyre publike diskreditoi punën time me barazinë gjinore në Kosovë dhe inkurajoi njerëzit të marrin idenë e gabuar për mua”, shprehet ajo.
Po të njëjtën ditë ajo thotë se mori një email tjetër, nga udhëheqësja e organizatës ku i thuhet se vendi i saj i punës në Kosovë tashmë është njoftuar për “skandalin” që ajo ka bërë.
“Pastaj marr një email tjetër në të cilin udhëheqësja e organizatës më shpjegon se ajo ka kontaktuar vendin tim të punës në Kosovë dhe se ajo di për “skandalin që kam bërë” në vendin tim të punës – diçka për të cilën nuk di asgjë absolutisht”, rrëfen gazetarja Lakso.
Tutje, rrëfimi vazhdon me një reagim të vendit ku ajo punonte (një radio stacion), çka sipas saj lë të nënkuptohet se ajo është pushuar nga puna.
“Pasi udhëheqësja e organizatës së grave kontaktoi vendin tim të punës (një radio), vendi im i punës vendos të marrë masa gjithashtu. E enjte 27 gusht, ata publikojnë një deklaratë në faqen e tyre në Facebook ku thonë se “Deklarata që kam bërë në portalin e lajmeve nuk përfaqëson pikëpamjen e tyre editoriale”.
“Kështu që mendoj se kjo do të thotë që unë jam pushuar nga puna. Kjo më bën shumë konfuze sepse herën e fundit që bisedova me shefin tim vendosëm të bënim një pushim deri në tetor për shkak të Covid-19. Ishte një bisedë miqësore në të cilën nuk u pushova nga puna.
Më bën të ndihem sikur udhëheqësi i organizatës u përpoq të sabotojë punën time dhe të heshtte zërin tim si drejtues radioje. Unë gjithashtu kam një kontratë që thotë qartë në nenin 6 se jam i punësuar për 3 muaj dhe për t’i dhënë fund kësaj periudhe më herët duhet një njoftim me shkrim. Me sa di unë, nuk më është dhënë asnjë njoftim me shkrim ose nuk kam nënshkruar asgjë për t’i dhënë fund kontratës time të punës më herët”, rrëfen ajo.
Gazetarja suedeze rrëfen se si rezultat i debateve intensive në mediat sociale, ajo u shantazhua edhe në rrjetin social Facebook.
Një person e shantazhoi atë lidhur me publikimin e një videoje me përmbajtje seksuale. Shantazhi ajo thotë se erdhi përmes një gruaje kosovare e cila shprehi mbështetje publike për të. Pas kësaj gazetarja suedeze thotë se një burrë nga Kosova e kërcënoi atë se nëse edhe një herë tregon mbështetje publike për të, do të publikojë një video me përmbajtje seksuale që ai gjoja ka nga një bisedë me të.
Gazetarja suedeze rrëfen se nuk e raportoi rastin në polici për arsye se nuk është gruaja e vetme që është kërcënuar nga ky burrë.
“Unë kam qenë shumë e trishtuar, e lënduar dhe e stresuar nga e gjithë kjo situatë dhe jam akoma, por ndjehem sikur kam nevojë të them të vërtetën dhe t’i jap fund kësaj, në mënyrë që unë sa më shpejt të jetë e mundur të vazhdoj me punën time për barazinë gjinore në Kosovë. Sidomos për dhunën në familje, çka është fokusi im”, përdundon ajo. /Reporteri.net