LDK’ja në Pejë ka publikuar një njoftim përmes së cilës kërkojnë që partia të marrë 6 ministri dhe Presidentin në marrëveshjen për formimin e Qeverisë me Vetëvendosjen. Më pas ky postim është ndryshuar, duke u hequr kjo pjesë.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri, ka mbajtur sot mbledhje, në të cilën njofton se janë marrë vesh të përkrahet lideri i partisë, Isa Mustafa, në negociatat me Vetëvendosjen për krijimin e Qeverisë.
Kjo degë shkroi se e mbështet bashkëpunimin me VV’në, por me kusht që të ketë 6 ministri dhe Presidentin ‘sepse i meriton’.
“Dega e Pejës mbështet krijimin e qeverisë së përbashkët me VV por me kusht që LDK të ketë pushtet të barabart me VV-në. LDK duhet tē ketë 6 ministri dhe Presidentin sepse i meriton. Këtë e konsiderojmë ndarje racionale dhe të balancuar të pushtetit”, thuhej në postimin e LDK’së në Pejë, e cila u hoq.
Në postim po ashtu thuhej se LDK’ja është parti me traditë dhe se ka kuadro. Edhe pse e dyta, sipas kësaj dege, LDK’ja meriton pushtet të barabartë me VV’së sepse rezultati është shumë i ngushtë.
“LDK është parti me traditë, ka kuadro që garantojnë qeverisje të ndershme dhe profesionale. LDK është parti e dytë në zgjedhje por me një dallim shumë të ngusht me të paren, prandaj edhe e meriton gjysmën e pushtetit politik”, thuhej më tutje në shkrim.
Ndërsa kjo degë në Facebook ndryshoi shumicën e postimit, duke përmendur vetëm se përkrahin Mustafën në negociatat e tij me VV’në.