Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, konfirmon se tre anëtarët e familjes Gashi që vdiqën në aksidentin në Çubrel të Skenderajt, janë nga Peja.
Muhaxheri tha se “kjo është një humbje e madhe për qytetin tonë dhe një moment pikëllimi të thellë për të gjithë ne”.
Ai shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen Gashi dhe të afërmit e tyre.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për aksidentin e rëndë që ndodhi në Çubrel të Skenderajt, ku humbën jetën tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja. Kjo është një humbje e madhe për qytetin tonë dhe një moment pikëllimi të thellë për të gjithë ne. Në këto çaste të vështira, i shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, të afërmve dhe miqve të tyre. Peja dhe gjithë qytetarët e saj janë pranë jush në këto momente të rënda”, ka shkruar ai.
Policia informoi se në këtë aksident janë përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë.
Aksidenti në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt, përfundoi me tre viktima dhe pesë persona tjerë të lënduar, katër prej të lënduarve zyrtarë policorë. /Reporteri.net/.