Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj u ka bërë thirrje votuesve të Listës ‘Guxo’ të kthehen në LDK.
Gecaj u ka bërë thirrje votuesve të Listës ‘Guxo’ të kthehen në shtëpinë e tyre, pra në LDK, pas përplasjeve që po raportohen se po ndodhin brenda listës dhe pasi që nga Ferizaj janë regjistruar në KQZ dy fraksione të GUXO-s.
“Unë guxoi, ti guxon, ai/ajo guxon, ne guxojmë, ju guxoni, ata/ato guxojnë …. (votuesit) të kthehen në shtëpinë e vet!”, shkroi Gecaj në Facebook.
Thirrja e Gecajt vjen pasi në disa qytete të Kosovës ka përçarje në Listën “Guxo”. Përfaqësuesi i kësaj liste në Ferizaj, Balton Dërguti, ka shpërthyer në akuza drejt udhëheqjes qendrore të lëvizjes së themeluar nga Vjosa Osmani.
Ai ka dalë kundër qëndrimit të Donika Gërvallës, duke thënë se në Ferizaj do të kandidojnë pa Lëvizjen Vetëvendosje.
Lidhur me këtë qëndrim të Dërgutit, ditë më parë në T7 ka folur Haxhi Avdyli, duke thënë se irritimi i anëtarit të “Guxo”-s është si rezultat i mospranimit të tij si zëvendësministër, pasi nominimi i Balton Dërgutit ishte refuzuar nga Albin Kurti.
Paknaqësi kanë shprehur edhe përfaqësues të Listës ‘Guxo’ në Istog, Mitrovicë e Kllokot.