×
  • Lajme
  • Lajme

    Gent Cakaj jep dorëheqje

    Reporteri
    29 Dhjetor 2020 | 12:36
    © Reporteri.net / Foto: Raif Selimi

    Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, i ka ofruar kryeministrit, Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Cakaj ka thënë se duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, konsideron që kapitulli i shërbimit të tij në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar, shkruan Reporteri.net.

    Ai shpreh mirënjohjen ndaj Ramës për besimin e dhënë dhe ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ.

    Ai ka thënë se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

    Cakaj kishte marrë këtë detyrë më 28 dhjetor të vitit 2018.

    Ky është postimi i plotë i Cakajt:

    Të nderuar qytetarë,

    Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

    Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.

    Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.

    Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

    Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime!

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!