Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është ankuar për pjesën e stafit në ministrinë të cilën e udhëheqë, duke thënë se ka numër të vogël të të punësuarve që merren me drejtori politike.
Gërvalla tha në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme se janë 130 persona të punësuar në administratë dhe shërbime të tjera. Ky numër, sipas kryediplomates, duhet të zvogëlohet.
“Kemi një disproporcion total mes stafit të ashtuquajtur që merret me drejtoritë politike. Aty punojnë gjithsej 39 persona, ndërkohë që në shërbime të tjera ndihmëse si administrata dhe të tjera janë 130 persona. Është e domosdoshme që administrata të zvogëlohet dhe të rritet numri i njerëzve që punojnë rreth temave të politikës së jashtme”, ka deklaruar ajo.
“Me 39 të punësuar që merren me tema të politikës së jashtme, Republika e Kosovës s’mund të bëjë politikë të jashtme, është e pamundur. Jemi përpjekur që përmes kabinetit të mbulojmë një pjesë të madhe, por kjo nuk funsionon afatgjatë”, ka shtuar tutje kryediplomatja kosovare.
Gërvalla ka folur për, siç e quan ajo, çështjen e profesionalizmit në MPJD. Sipas saj, ka diskrepancë të madhe mes njerëzve që tregojnë gatishmëri dhe atyre që “nuk janë të interesuar ta çojnë asnjë proces përpara”.
“E dyta është çështja e profesionalizmit real të personave që punojnë në MPJ. Kemi edhe aty një diskrepancë të madhe mes njerëzve që tregojnë gatishmëri dhe profesionalizëm për të punuar dhe dinë e duan të punojnë, dhe një numri të madh të njerëzve të cilët në MPJ ndodhen për shkak se e kanë emërimin aty, por nuk janë të interesuar ta çojnë asnjë proces përpara”, ka thënë ndër të tjera Gërvalla.