Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, pas dështimit të 20’të për konstituimin e Kuvendit, ka fajësuar sërish deputetët e partive që deri vonë ishin në opozitë për ngërçin.
Gërvalla ka thënë se duhet urgjent zhbllokimi i kësaj situate, duke shtuar se beteja politike bëhet për zgjedhje të Qeverisë, shkruan Reporteri.net.
“Nuk më mbetet tjetër vecse të bëj thirrje që kjo qasje bllokuese të ndalet. Beteja politike bëhet për zgjedhje të Qeverisë. Beteja politike nuk bëhet për një temë e cila në fakt është e vetëkuptueshme”, tha Gërvalla.
Gërvalla u ka bërë thirrje deputetëve që në seancën e ardhshme të votojnë për zhbllokim.
“Ju bëj thirrje deputetëve që në seancën e ardhshme të votojnë për zhbllokim…Nuk është e drejtë e tyre që të mos marrin fare pjesë në votim për procedurë. Do të duhej urgjentisht më së largu brenda 48 orësh të zhbllokohet kjo situatë”, deklaroi Gërvalla.
“Më pas kryeministrit Kurti i mbetet të marrë përgjegjësinë për formimin e Qeverisë, aty pastaj jemi tek numrat dhe fillojnë rrjedhin afatet ligjore per formimin e Qeverisë”, tha tutje ajo./Reporteri.net