×
  • Lajme
  • Lajme

    Gërvalla kundër mediave pas raportimeve për Pecin: Nuk janë gazetarë, por produkt i krimit

    Reporteri
    16 Maj 2025 | 18:30

    Bashkëkryetarja e partisë Guxo dhe ministre në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dalë sot në mbështetje të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, pas publikimit të dyshimeve lidhur me një kontratë të dhënë një konzorciumi, për një fabrikë për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.

    Gërvalla ka vlerësuar se ndaj Pecit po bëhet fushatë e orkestruar sistematike.

    Ajo ka thënë se këto fushata “janë produkt krimit të organizuar dhe përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve mediatike, që veç gazetarë nuk janë”.

    “Faton Peci është ministër i shkëlqyeshëm, sepse është punëtor i madh, i ndershëm deri në palcë, i guximshëm si rrallë kush, i ditur, i edukuar, plot integritet dhe dinjitet.
    Fushatat e orkestruara dhe sistematike të muajve të fundit kundër Fatonit, para dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, janë produkt i krimit të organizuar dhe përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve mediatike, që veç gazetarë nuk janë. Shtrembërimet, trillimet dhe gënjeshtrat e tyre të hapura janë shprehja më e qartë e dëshpërimit të atyre që tentuan me sajime e fabrikime të njollosin ministrin jo vetëm të suksesshëm të qeverisë Kurti, por edhe shumë të dashur për qytetarët.”, ka shkruar Gërvalla.

    Ajo tha se këto fushata të rreme dhe denigruese nuk pijnë ujë në Kosovë.

    “Qytetari e njeh mirë Fatonin, e vlerëson punën dhe ndershmërinë e tij dhe prandaj me votë e ka ngritur aty ku e meriton, në mesin e më të votuarve në Republikën e Kosovës. Jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që kemi kapërcyer, por edhe për ato që na presin gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm. Por nuk ka fushatë njollosëse, nuk ka kërcënim e as sulm që na ndal. Ju, që veç gazetarë nuk jeni, vazhdoni me gënjeshtra e sajime, e ne po vazhdojmë me punët e shumta që kemi përpara, me nder, dinjitet e integritet. E në fund, qytetari është ai që na e bën vlerësimin.”, është shprehur Gërvalla.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!