Kryediplomatja e Kosovws, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar nga Serbia që t’ia dorëzojë Kosovës, Kryeterroristin Milan Radojiçiq dhe të tjerët që u përfshinë në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, shkruan Reporteri.net.
Gërvalla tha se mosndëshkueshmëria e vazhdueshme vetëm inkurajon akte të tjera agresioni.
“Kërkojmë nga Serbia që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet ndërkombëtare e poashtu të dorëzojë Milan Radojiçiqin dhe kriminelët tjerë tek autoritetet e Republikës së Kosovës. Pandëshkueshmëria e vazhdueshmë e këtillë vetëm sa i inkurajon aktet e ardhshme të agresionit”, tha Gërvalla.
Ajo tha se pas Radojiçiqit qëndron Serbia.
“Faktet janë krejt të qarta, Serbia e ka sponsorizuar, armatosur, trajnuar e mbështetur politikisht këtë grup që vrau një polic të Kosovës, Afrim Bunjakun. Duke u përpjekur për të pushtuar territor brenda kufijve tanë sovran”, deklaroi Ministrja.
Ajo pati vërejtje edhe për cilësimin që i ka bërë UNMIK këtij sulmi, që tha se ka qenë akt agresioni.
“Ta quash pastaj këtë incident serioz sigurie siç bëhet në raportin e UNMIK’ut këtu, jo vetëm që është keqinterpretim, është shtrembërim”, tha Gërvalla.
Kritikat për UNMIK i vazhdoi edhe më vonë gjatë fjalimit.
“UNMIK po humb kredibilitetin e agjencisë së OKB’së. Sjelljet e veta dhe vrojtimet po pengojnë shërbimin dhe krijimin e pamjes së qartë të zhvillimeve në vend. Të jemi të qartë UNMIK nuk e pengon e nuk e dëmton Kosovën në zhvillimin e vetë por po e dëmton kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara”, tha Gërvalla./Reporteri.net