Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington D.C mbajti një ligjëratë në Institutin Amerikan “New Lines Institute for Strategy and Policy”, ku u adresuan fundamentale të sigurisë globale dhe sfidat e sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore.
Gjatë diskutimit, Ministra Gërvalla theksoi shqetësimet e Kosovës lidhur me influencën e Rusisë dhe Kinës në rajon, si dhe rrezikun e një konflikti potencial në Evropën Juglindore. Ajo gjithashtu bëri një thirrje për mbështetje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në luftën kundër propagandës, dezinformimit dhe veprimeve destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë, që kërcënojnë jo vetëm Ballkanin Perëndimor por gjithë Evropën.
Ministra Gërvalla shprehu përkushtimin e Kosovës për të përforcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe nevojën për mbështetje të vazhdueshme në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Gërvalla ka njoftuar se ka takuar edhe Ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryediplomatja ka njoftuar se në takim ndër të tjera është diskutuar edhe “jetësimi i aspiratave për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.
“Në frymën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet dy shteteve gjatë takimit janë trajtuar aspekte të shumta të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, forcimit të sundimit të ligjit e demokracisë”, ka thënë Gërvalla.
Gjithashtu Gërvalla ka potencuar se gjatë takimit me top-diplomatin amerikan janë diskutuar edhe zhvillimet të tjera aktuale në vend.
“Duke vënë theksin në përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon si dhe zmbrapsjen e kërcënimeve të sigurisë”, ka shtuar Gërvalla. /Reporteri.net/