Ministrja në detyrë e punëve të Jashtme dhe bashkëkryetarja e Guxo, Donika Gërvalla ka vazhduar me sulme e linçimet ndaj mediave.
Kjo krejt pasi gazeta online Reporteri.net dhe mediat e tjera kosovare transmetuan deklaratat e saj, ku me gjuhë të ashpër i cilësonte mediat si produkte të krimit të organizuar.
Sulmi i Gërvallës ndaj mediave erdhi kur ajo i doli në krah ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, pas publikimit të dyshimeve lidhur me një kontratë të dhënë një konzorciumi, për një fabrikë për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.
Gërvalla në postimin e parë ka vlerësuar se ndaj Pecit po bëhet fushatë e orkestruar sistematike. Ajo ka thënë se këto fushata “janë produkt krimit të organizuar dhe përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve mediatike, që veç gazetarë nuk janë”.
“Faton Peci është ministër i shkëlqyeshëm, sepse është punëtor i madh, i ndershëm deri në palcë, i guximshëm si rrallë kush, i ditur, i edukuar, plot integritet dhe dinjitet.
Fushatat e orkestruara dhe sistematike të muajve të fundit kundër Fatonit, para dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, janë produkt i krimit të organizuar dhe përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve mediatike, që veç gazetarë nuk janë. Shtrembërimet, trillimet dhe gënjeshtrat e tyre të hapura janë shprehja më e qartë e dëshpërimit të atyre që tentuan me sajime e fabrikime të njollosin ministrin jo vetëm të suksesshëm të qeverisë Kurti, por edhe shumë të dashur për qytetarët.”, ka shkruar Gërvalla.
Transmetimi i deklaratës së saj në media, e ashpërsoi edhe më shumë Gërvallën.
“E hajt mos i quaj këta, që veç gazetarë nuk janë, mercenarë të gënjeshtrës dhe mashtrimit.”, e vazhdoi sulmin ajo.
Sulmet e njëpasnjëshme të Gërvallës, u dënuan nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Deputetja, Donika Gërvalla Schëarz ka sulmuar gazetarët dhe mediat, në së paku dy postime në Facebook, teksa ka mbrojtur deputetin tjetër, Faton Peci. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme ka shkruar, “Ju, që veç gazetarë nuk jeni, vazhdoni me gënjeshtra e sajime”, dhe gjithashtu “E hajt mos i quaj këta, që veç gazetarë nuk janë, mercenarë të gënjeshtrës dhe mashtrimit”.”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja e dënoi këtë “gjuhë të papranueshme të zyrtares së lartë të partisë politike që ka udhëhequr më Kosovën në 4 vitet e fundit, dhe i kujton se sulme të tilla të orkestruara kanë ndikuar që Kosova të renditet më se keqi në rajon sa i përket lirisë së mediave”.
“AGK-ja i bën thirrje Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj të vegjël, që të ndalojnë me retorikën nxitëse kundër mediave dhe gazetarëve.”, thuhet tutje në reagimin e AGK-së./Reporteri.net/