Ish-deputeti Gëzim Kelmendi, tani kryetar i partisë FJALA thotë se presidenti Hashim Thaçi po tregon se është faktori kryesor në politikën kosovare.
Ai thotë se Thaçi rrëzon çdo gjë që i del në rrugë, duke thënë se e “krasiti” edhe qeverinë Kurti.
Kelmendi shton se fat i njëjtë do ta pret edhe qeverinë Hoti, nëse kjo e fundit nuk i shkon për shtati presidentit Thaçi, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Shpresoj që disa e kanë kuptuar pse nuk e votova Thaçin president me 2016!
Kundërshtimet që po ia bëj Kurtit në raport me ato që ia kam bërë Thaçit, janë si një kofë me ujë në deti!
Thaçin e kam kundërshtuar me fjalë dhe me vepra, ndërsa Kurtin vetëm me fjalë.
Disa kanë harruar dhe disa ndoshta nuk e dijnë.
Shkurti i vitit 2016 ishte muaji i zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Kandidat ishte Hashim Thaçi.
Thaçi kërkonte mbështetje që ai të zgjedhet president.
Unë e kundërshtoja ndërsa disa deputet e mbështetnin.
Arsyetimi i tyre ishte se ne po e zgjedhim president dhe e largojmë nga pushteti i tij si kryeministër.
Unë iu thoja jo, përkundrazi ju do ta forconi edhe më shumë.
Unë isha deputet i pavarur.
Ata e votuan dhe unë nuk e votova.
Dhe tani pas 4 viteve u vërtetua ajo që e kam thënë unë.
Edhe në kohën e qeverisë Haradinaj, edhe në qeverinë Kurti, edhe tani në qeverinë Hoti, Thaçi po tregon se është faktori kryesor në politikën kosovare.
Të gjithë e dijmë kush e rrëzoi qeverinë Kurti.
Kujtoni “krasitjen” e Thaçit në kopshtin e tij.
Thaçi rrëzon çdo gjë që i del në rrugë.
Edhe kryeministrin Hoti e pret fati i njejtë sikur i Kurtit nëse nuk i shkon për shtati presidentit Thaçi.
Kështu që fare pak ka rëndësi a është Kurti apo Hoti kryeministër.
Tani është situata ma e mirë në favor të Thaçit. Ai i ka gjasat e mira që edhe një mandat të zgjidhet president.
Pse?
Sepse ia ka bërë një “argat” të mirë LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s.
Iu dha mandatin me udhëheq vendin.
Gëzim Kelmendi