Më 16 janar të vitit 2018, ishte vrarë para zyreve të tij në veri të Mitrovicës, lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq.
Ai ishte vrarë përmes një atentati me armë zjarri, ku ishte qëlluar me gjashtë plumba nga një veturë në lëvizje.
Menjëherë pas atentatit, Qeveria e Kosovës kishte kërkuar zbardhjen e rastit të vrasjes së Ivanoviqit, por edhe pas gjashtë vjetësh nuk është dënuar askush.
Në raportet e autopsisë së Oliver Ivanoviqit, ishte bërë e ditur se ai u qëllua për vdekje me gjashtë plumba, nga një revole e tipit “Zastava M70A”, prodhim serb, e njohur si “nëntëshe e gjatë”.
Tre dëshmitarë tashmë janë tërhequr nga dhënia e dëshmisë për këtë rast.
Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 19 tetor, ka arrestuar M.M. nga komuniteti serb, nën dyshimin se ai ishte anëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, të lidhur me vrasjen e politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviq.
Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, në të cilat, nuk ka pasur ndryshime të mëdha thelbësore.