×
  • Lajme
  • Lajme / Raporti i policisë

    Gjatë patrullimit në Banjskë, Policia gjen karikator arme, gëzhoja, qindra fishekë e një flamur të Serbisë – sekuestrohen të gjitha

    Reporteri
    05 Janar 2024 | 9:13

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë patrullimit në Banjskë të Zveçanit, është gjetur dhe sekuestruar një flamur i shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm.

    Policia bën të ditur se në lidhje me këtë rast nuk ka të arrestuar dhe janë duke u kryer hetime.

    “Fsh. Banjskë, Zveçan / 04.01.2024 – 13:45. Njësia policore gjatë patrullimi në afërsi të një kodre ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Kujtojmë se më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

    Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

    Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

    Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

    Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

    Pas këtij sulmi NATO-ja ka rritur praninë në Kosovë, duke dërguar trupa shtesë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!