×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjermania dhe Franca në kontakt me Lajçakun për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

    Reporteri
    14 Qershor 2020 | 22:14

    Kohëve të fundit, ka pasur një intensifikim së paku nominal të përpjekjeve për rinisjen e dialogut Kosovë – Serbi.


    Angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes dy emisarëve të saj, Matthew Palmer si i Dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe Richard Grenell si i Dërguar i Posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi ka bërë që edhe Bashkimi Evropian të zgjohet nga ‘gjumi diplomatik’.

    Bashkimi Evropian pas këtyre lëvizjeve të SHBA-ve, ka emëruar edhe vet një të Dërguar të Posaçëm për dialogun, ish-ministrin e jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak.

    Edhe Bashkimi Evropian si tërësi, por edhe shtetet veç e veç në përgjithësi janë angazhuar shumë më tepër në funksion të rifillimit të procesit i cili ka stopuar qysh në vendosjen e tarifës doganore prej 100 për qind për produktet serbe ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

    Franca dje ia ka konfirmuar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti se vazhdon të jetë plotësisht e angazhuar në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe e përkrahin dialogun midis dy vendeve.

    Lajmi.net është interesuar të ketë qëndrimin e Gjermanisë lidhur me dialogun Kosovë – Serbi, pasi Kosova ka eliminuar barrierat e pretenduara nga Beogradi si pengesë për rifillimin e dialogut.

    Në përgjigjen e qeverisë gjermane thuhet se ky shtet e mbështet plotësisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

    “Gjermania e përkrah plotësisht dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Bundestagut.

    Të pyetur nëse kanë koordinim edhe me shtetet e tjera të fuqishme të Evropës si Franca dhe nëse e mbështesin Lajçakun si i Dërguar për dialogun, nga qeveria gjermane thonë se koordinohen vazhdimisht për këtë.

    “Gjermania dhe Franca janë në kontakt të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe të Dërguarin Special të BE-së, Miroslav Lajçak për koordinim të ngushtë me politikat e tyre”, thuhet në përgjigjen e Gjermanisë.

    Në anën tjetër, Kosova ka eliminuar të gjitha barrierat për dialogun Kosovë – Serbi të cilat janë përmendur nga pala serbe duke hequr masën e reciprocitetit.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe liderët e tjerë serbë atje kanë thënë se do të ulen në tavolinë të dialogut, por vetëm me kushtin që nuk iu kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës.

    I dërguari Special i BE-së, Miroslav Lajçak pritet që të vizitojë Kosovën gjatë javës së ardhshme, por ende nuk dihet agjenda e tij dhe takimet të cilat do t’i zhvillojë.

    E kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në deklarimet e tij është shprehur se marrëveshja midis dy vendeve mund të arrihet edhe brenda 3 muajve të ardhshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!