Është hera e dytë brenda pak ditësh që kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, po ua uron liberalizimin e vizave me vendet e BE’së, qytetarëve të tij, të cilët prej vitesh janë të vetmit në rajon që nuk kanë të drejtë të lëvizin lirshëm në shtetet e Bashkimit Europian. Këto deklarata optimiste të Haradinajt vijnë pas premtimit që ka marrë nga Gjermania, se edhe Kosovës duhet hequr vizat.
Premtimi se Kosova do të fitojë liberalizimin e vizave, po e jep ministri më i fuqishëm i punëve të brendshme në Europë, ai gjerman. Duke pasur parasysh këtë fakt, atëherë urimi për liberalizim të vizave qytetarëve kosovarë bëhet më i besueshëm, pasi edhe në të kaluarën shpesh ishte bërë i njëjti urim, por lëvizja për në Europë ishte e mundur vetëm përmes pritjes disa muajshe para ambasadave, ose ilegalisht maleve të Hungarisë apo ndonjë shteti tjetër të BE’së.
Megjithatë, edhe nëse Gjermania si shteti më i fuqishëm i BE’së, është pro heqjes së vizave për Kosovën, burokracia e BE’së ka disa procedura që duhet përmbushur, për të ardhur deri te dita kur qytetarët e Kosovës do të mund të ja kthejnë urimin kryeministrit Haradinaj, me një ‘Gëzuar!’ prej së vërteti, shkruan Reporteri.net.
Qeveria kosovare shpreson se heqja e vizave do të ndodhë në fillim të pjesës së dytë të këtij viti, pra diku në shtator.
Por, cilat janë procedurat deri te vendimi i BE’së, edhe kosovarëve të u thuhet se nga kjo datë mund të lëvizni pa vizë për në Zonën Shengen?
Nëse pretendohet heqja e vizave këtë vit, atëherë duhet pritur që Rumania, një shtet që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e që është vendi që mban presidencën e BE’së, duhet ta fusë çështjen në agjendë dhe vota duhet të përkrahet nga “shumica e kualifikuar”.
Në gjashtëmujorin e parë 2019 Rumania mban presidencën e Bashkimit Evropian. Ajo duhet ta fusë këtë çështje në agjendë.
Por, edhe nëse Rumania, pavarësisht faktit se nuk e njeh Kosovën, vendos që liberalizimin e vizave për këtë shtet ta fush në agjendë, ngelet pikëpyetja e kalimit nga shtetet anëtare, pasi nevojiten votat me ‘shumicë të kualifikuar’.
Çfarë nënkuptojmë ‘shumicë të kualifikuar’ në këtë rast?
Për të arritur këtë numër duhet që për liberalizimin e vizave të votojnë më shumë se 55 për qind e shteteve anëtare të Shengenit, gjë që nuk përbën problem, por këto duhet të jenë vendet që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme në vendet që votojnë.
Duke marrë këtë parasysh, nëse të gjitha vendet që nuk e kanë pranuar Kosovën dhe janë në Shengen votojnë kundër dhe këtyre ju bashkëngjitet edhe Franca dhe Holanda që momentalisht janë kundër me deklarata, atëherë vota nuk do të kalojë.
Por, nëse njëra nga vendet që nuk e kanë njohur, Kosovën por janë pozitivisht të disponuara ndaj vendit, si Greqia dhe Sllovakia, do votonte pro, atëherë vota do të kalojë edhe pa Francën dhe Holandën. Mirëpo është vështirë të besohet se ndonjë votë do të kalojë pa bekimin e një vendi siç është Franca.
Kyçe në këtë votë është Franca, pohojnë diplomatët, përkatësisht presidenti Macron. Diplomatët francezë kur flasin privatisht janë në përkrahje të liberalizimit të vizave për Kosovën por pjesa politike e presidentit francez ka bllokuar secilën lëvizje drejt zgjerimit të BE-së duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Kjo pjesë e administratës franceze madje ka sugjeruar, se heqja e vizave për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë ka qenë gabim.
Analistë thonë, se pa votën e Francës as vendet e tjera nuk do të kërkojnë që votimi të ecë përpara. Udhëheqësit kosovarë do të shkojnë në Paris për vazhdimin e samitit të Berlinit, dhe më 1 korrik ata do të takohen personalisht me Presidentin Macron dhe mund ta bindin atë, por edhe mund të dështojnë në arritjen e këtij hapi diplomatik për Kosovën. /Reporteri.net