Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka folur për sondazhin e UBO-s të publikuar nga gazeta online Reporteri, që e ka vendosur koalicionin AAK-Nisma në 8.6 për qind.
Në Kanal10 Gjini ka thënë se sondazhet janë fotografi të momentit dhe se mund të ndryshojnë.
“E gjithë koha prej tash deri në ditë e zgjedhjeve është kohë dinamike, jo statike dhe sondazhet janë snapshoots pra fotografi e momentit, munden me ndryshu”, deklaroi Gjini.
“Vota është pronë e njerëzve, ata kanë me votu qysh të mendojnë vet, e jona është me bind sa më shumë njerëz me votu Aleancën, besoj se i kemi të gjitha elementet e duhura për një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Sipas matjeve të fundit nga “UBO Consulting”, i siguruar ekskluzivisht nga Gazeta Online Reporteri.net, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje renditet në vend të parë me 49.6 për qind.
Nga ky sondazh i kryer për periudhën 3 deri 15 qershor nga “Ubo Consulting”, Partia Demokratike e Kosovës del të jetë në vend të dytë me 17 për qind të votave.
LDK-ja radhitet e treta me 15.5 për qind, duke shënuar kështu rënie, krahasuar me sondazhin paraprak të “UBO Consulting” që kishte 16 për qind. AAK dhe NISMA kanë qenë surpriza e këtij sondazhi duke shënuar rritje në 8.6 për qind, 1.7për qind më shumë se sa në mars kur kishin rezultuar me 6.9 për qind të mbështetjes./Reporteri.net./