×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjithçka çfarë ndodhi mbrëmë në aeroportin e Prishtinës – si u sollën në Kosovë mbi 100 gra dhe fëmijë të xhihadistëve shqiptarë të vrarë në Siri

    Reporteri
    20 Prill 2019 | 11:17

    Autor: Mentor Gjergjaj


    Kur po pritej që një grup grashë dhe fëmijësh kosovarë të nxjerrë nga kampet e Sirisë të silleshin në Kosovë më një aeroplan të rregullt nga Stambolli. Pak minuta para orës 23:00 të së premtes, nga Turqia në Aeroportin e Prishtinës ateroi një aeroplan tjetër, që në bishtin e tij mbante flamurin amerikan, për t’i sjellë në vendlindje këta rreth 110 kosovarë të mbijetuar nga lufta, familjarë të ish-pjesëtarëve shqiptarë të ISIS-it, që për muaj kishin mbetur të ngujuar në kampet e luftës siriane. Në mesin e tyre ishin edhe katër ish-ushtarë nga Kosova të kësaj organizate terroriste.


    Ora 21:20 e së premtes. Në Aeroportin ndërkombëtarë të Prishtinës, dukej se gjithçka ishte duke shkuar normalisht. Ndonëse, se vetëm pak minuta më parë në një zonën daljeve VIP të këtij aeroportin kishin arritur disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe autoriteteve tjera të sigurisë.

    Jo shumë minuta më pas, në të njëjtin ‘Gate’ u nisen edhe disa vetura shtesë të Policisë së Kosovës. Pas tyre, drejt asaj zone, sikurse edhe tek dalja e rregullt e udhëtarëve, u panë edhe disa vetura të bardha të KFOR-it turk në Kosovë.

    E nga vendi i këtyre të fundit, pas më shumë se një ore do të duhej të vinte një aeroplan i rregullt që kishte fluturuar nga Stambolli.

    Por, para se ky aeroplan i paraparë të aterojë në Prishtinë, pak minuta para orës 23:00, gjendja në aeroportin e kryeqytetit ndryshoi.

    Autoblindat të Policisë ia mësynë zonës VIP të këtij aeroporti. Aty ku pak më parë kishte shkuar një zyrtarë i lartë i MPB-së, e pas tij edhe njerëz të AKI-së e zyrtarë policorë të Antiterrorizmit. Krejt këtë kohë, shefi i të parit dhe të fundit, Ministri i Brendshëm Ekrem Mustafa doli të jetë mbajtur në ‘terr informativ’ për këtë operacion.

    Krahas autoblindave me njësi speciale, në drejtim të të njëjtës zonë u nisen edhe disa autobusë të zbrazur, shkruan Reporteri.net. E pati edhe kombi busë tjerë të Policisë me njerëz që u sollën në aeroport për të pritur dikë. Madje u panë edhe disa autoambulanca të shkojnë në të njëjtin drejtim.

    https://www.facebook.com/reporteri/videos/2342408442644314/

    Në Prishtinë, pas pak minutash do të arrinin një grup kosovarësh që i kanë mbijetuar luftës në Siri. Të gjithë gra e fëmijë të ish-xhihadistëve nga Kosova që janë vrarë derisa po luftonin përkrahë terroristëve të tjerë të ISIS-it.

    Autoblindat e Policisë dhe pjesëtarët e njësive speciale kishin bllokuar të gjitha rrugicat që çonin tek zonat e veçanta të aeroportit.

    E brenda aeroportit, përgjegjësit e sigurisë së ishin mbledhur urgjentisht për t’i bërë përgatitjet e fundit dhe për të marrë përgjegjësitë për një zhvillim që do të ndodhte rreth orës 23:00 të asaj nate.

    Ora shënonte 22:40 dhe aeroplani i rregullt që vinte nga Stambolli ateroi në Prishtinë, 10 minuta më herët sesa ishte planifikuar. Nga ai pritej të dilnin ky grup kosovarësh të nxjerrë nga kampet e luftës siriane. Mbi 100 gra e fëmijë kosovarë që i kanë mbijetuar luftës dhe terrorit atje.

    Por jo. Vetëm pak minuta më vonë, rreth orës 23:00 në të njëjtën pistë zbriti një aeroplan tjetër. I ardhur po ashtu përmes Turqisë në Prishtinë.

    Kur po pritej që këto gra dhe fëmijë kosovarë të nxjerrë nga kampet e Sirisë të silleshin në Kosovë, aeroplani i linjës së rregullt nga Stambolli, të premten, një orë para mesnatës në Prishtinë, ata i solli një aeroplan që dukej ushtarak, e që në bishtin e tij shihej flamuri amerikan.

    Numri i tyre u mësua të ketë qenë 110 persona. 32 nga ta gra dhe 74 tjerë fëmijë. Në mesin e fëmijëve të kthyer, ishin edhe nëntë pa prind, pasi ata u janë vrarë në Siri, ka njoftuar zyrtarisht policia.

    Por, sipas policisë pati edhe katër ish-ushtarë të ISIS-it që u kthyen mbrëmë të gjallë mbrapa në vendlindje.

    Me kombi-busët e policisë që më herët kishin ardhur në aeroport, aty ishin sjellë familjarë të tyre në Kosovë, një pjesë e të cilëve takuan bashkëfamiljarët e kthyer nga Siria, për të identifikuar gratë dhe fëmijët e nxjerrë nga kampet e ISIS-it. E atyre që u duhej ndihmë mjekësore, atë ua ofronin autoambulancat dhe ekipet mjekësore brenda tyre. Ndërkohë se të gjithë u kontrolluan dhe u skanuan në detaje nga Policia dhe siguria e aeroportit.

    Gazeta Online “Reporteri.net” e para e dha informacionin për sjelljen e tyre në vendlindjen. Nuk shkoi shumë dhe tek aeroporti vërshuan edhe mediat tjera.

    E kjo u duk se u pengoi pjesëtarëve të policisë të cilët kishin blinduar tashmë aeroportin. Ata u kërkuan mediave që të largohen nga zona e aeroportit. Por nuk shkoi shumë, dhe rreth orës 01:20 në vendin kur po qëndronin të gjitha mediat, u shfaq Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

    Natyrisht, për të thyer heshtjen të cilën për disa orë nuk e bëri askush.

    “Operacioni i planifikuar për kthimin e disa qytetarëve tanë nga Siria, mund të them se ka përfunduar me sukses. Dhe për çdo detaj tjetër do ta merrni nesër në një konferencë”, tha Ministri Tahiri në paraqitjen e tij të jashtëzakonshme para mediave, në hyrje të zonës së Aeroportit “Adem Jashari”. Duke shtuar se operacioni në fjalë ishte planifikuar që disa muaj.

    Jo shumë minuta, pas largimit të tij nga aty, pak pas orës 02:00 të së shtunës, përmes një rrugice që zakonisht qëndron e mbyllur, nga Aeroporti i Prishtinës, pas tre orësh që kishin arritur në Kosovë, dy autobusë që po bartnin 110 të kthyerit nga Siria u larguan nga aeroporti. Të dy, gjatë gjithë rrugës, nën përcjellje të patrullave të Policisë.

    Nga dritaret e këtyre autobusëve, brenda u panë disa nga gratë dhe fëmijë e kthyer nga Siria, shkruan Reporteri.net. Shumica prej atyre që ishin të moshës madhore ishin krejtësisht të mbuluara me veshje të zeza, të njohura si burka.

    Ata po i qonin në drejtim të Prishtinës. Më saktë, ndalesa e tyre e fundit për këtë natë, do të ishte në Qendrën strehimore të azilkërkuesve në Vranidoll që ndodhet në mes të komunës së kryeqytetit dhe asaj të Podujevës.

    Edhe për blindimin e këtij vendi, tashmë ishte përkujdesur Policia. Nën shoqërimin e këtyre të fundit, rreth 100 gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria u strehuan brenda këtij ‘kampi të ri’ për ta, për të kaluar natën e parë të kthimit nga Siria në Kosovë.

    Policia, gjithashtu, bllokoi që mediat të afrohen, por pamjet u arritën të merren vetëm nga jashtë rrethojave të kësaj strehimoreje. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!