Një shpërthim i fuqishëm që ndodhi sonte në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Faruk Mujka, drejtor i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, e ka dënuar shpërthimin që është bërë në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Mujka në një prononcim për Klanin ka treguar se ky dëmtim sjell shumë pasoja.
“Ky është një akt terrorist për ne, është hedhur një mjet shpërthyes në infrastrukturën e kanalit të ujit të Ibër Lepencit”.
Ai ka thënë se është dëmtuar kanali kryesor që furnizon me ujë kompanitë ujësjellëse dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Mujka ka shtuar se qytetarët nuk kanë furnizim me ujë dhe KEK-ut ka problem që “t’i ftohë turbinat”.
Tutje, i njëjti shtoi se ekipet punuese janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me sanimin e dëmit nga shpërthimi në kanalin e ujit të “Ibër Lepencit”.
“Jemi duke u marrë me sanimin, ekipet janë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Mujka.
Mujka: Shpërthimi në kanalin e “Ibër Lepencit” është akt terrorist, dëmton edhe KEK-un
Për shpërthimin kanë folur edhe nga Policia e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se organet e rendit janë duke punuar në zbardhjen e rastit.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, ka thënë Elshani për media.
Shpërthim në Zubin-Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit
Pas shpërthimit në Zubin Potok, KRU “Mitrovica” kërkon nga qytetarët të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.
Raportohet se uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar.
Për rastin ka folur edhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
“Jemi ne vendin e ngjarjes, dyshimet janë se është hedhur mjet shpërthyes, jemi me policinë dhe zjarrfikësit”, ka deklaruar Zeqiri.
E vec pak orë para shpërthimit Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë në vend, përfshirë veriun e vendit ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa sulme/incidente serioze kriminale.
“Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim. Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët.”, ka njoftuar Policia.
Sipas Policisë me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues.
“Qëllimi i operacioneve policore do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale. Duke pasur parasysh se ndihmë të madhe në realizimin e objektivave policore për më shumë siguri në vend, ka edhe bashkëpunimi me qytetarë, policia duke falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, fton qyfterët që edhe tani e tutje të ndajnë me ne informacione që shkojnë në drejtim të rritjes së sigurisë për të gjithë pa dallim.”, kanë deklaruar nga Policia.