×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjuriç: Dikur e kishim vetëm në letër që FSK-ja s’mund të shkojë në Veri, sot është ligj material dhe realitet politik

    Reporteri
    29 Dhjetor 2022 | 10:59
    Ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriç

    Një hap më tej në mbrojtjen ligjore të pozitës së serbëve të Kosovës, e ka quajtur ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriç, deklaratën e përbashkët ShBA-BE dhe atë të KFOR-it në lidhje me mundësinë e hyrjes së FSK-së në pjesën veriore të vendit, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Ftoj qytetarët e Serbisë të njihen me dy elementet e tjera të bisedimeve dhe marrëveshjes që është arritur, e cila u materalizua me deklaratën ShBA-BE në njërën anë dhe deklaratën e KFOR’it në anën tjetër”, i ka thënë Gjuriç televizionit serb “Pink”.

    Këto dy deklarata, Gjuriç i ka quajtur “dy burime të reja të ligjit material dhe realitetit politik” në veriun e Kosovës.

    “Kjo do të thotë se që nga dje, për herë të parë, kemi garancione ndërkombëtare nga KFOR’i dhe NATO që i aplikohen dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me obligimin për ta konsultuar komunitetin serb”, ka thënë Gjuriç.

    Gjuriç thotë se kjo marrëveshje tashmë është konkretizuar, derisa më parë ekzistonte vetëm në letër e nënshkruar nga ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Gjenerali Rasmunsen.

    “Ata që e njohin ligjin e kuptojnë se kemi shkuar një hap më tej në terma të mbrojtjes ligjore të pozicionit të serbëve në Veri”, ka thënë Gjuriç.

    Forca paqeruajtëse e NATO’s në Kosovë, përkatësisht KFOR’i, të enjten përmes një komunikate për shtyp ka thënë se FSK mund të shkojë në Veri vetëm me pëlqimin e Komandantit të KFOR’it.

    “Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës. KFOR-i, në përputhje me mandatin e tij, mund të angazhohet me përfaqësues legjitimë të komunitetit lokal në veri të Kosovës si pjesë e këtij procesi të pajtimit”, thuhet në komunikatën e KFOR./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!