Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka zbuluar detaje nga takimi i 4 shtatorit mes Kosovës e Serbisë.
Gjuriq potencoi se delegacioni i Serbisë në bisedimet në Uashington dhe Bruksel do të lëvizë brenda kornizës së përcaktuar me Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai potencoi edhe një herë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, derisa tha se dëshirojnë të fokusohen tek çështjet praktike, transmeton Reporteri.
“Ne po shkojmë në Uashington një pozicion shumë të qartë. Siç tha edhe Presidenti Aleksandar Vuçiq mos ëndërroni për historinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Le të flasim për çështje praktike, për bashkëpunimin, këtë e dëshirojmë absolutisht”, tha Gjuqis për TV Pink.
Ai shtoi se para takimit midis Beogradit dhe Prishtinës në Uashington, do të ketë një vazhdim të dialogut teknik në Bruksel, ku ai do të drejtojë delegacionin e Beogradit.
“Ne do të diskutojmë për bashkëpunimin ekonomik, edhe në Bruksel. Dhe në lidhje me temën e të zhdukurve dhe të zhvendosurve, ne do të insistojmë në krijimin e kushteve që njerëzit tanë të kthehen në shtëpitë e tyre”, u shpreh ndër të tjera Gjuriq. /Reporteri.net