×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata e Apelit lehtëson dënimin ndaj të akuzuarit

    Reporteri
    23 Prill 2019 | 12:37

    Gjykata e Apelit të Kosovës, duke vendosur sipas ankesave të avokatëve mbrojtës, ka marrë vendim në rastin e të akuzuarit Sh.T.


    Siç bëhet e ditur në njoftim, aktgjykimi i shkallës së parë është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim.

    “Për dallim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila të akuzuarin e kishte dënuar më dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj, për veprat penale: “Grabitje” nga neni 329 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 i të njëjtit ligj, Gjykata e Apelit ndaj tij ka shqiptuar dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj”, bëhet e ditur në njoftimin e gjykatës.

    Gjykata e Apelit gjen se në praninë e rrethanave lehtësuese të cekura nga gjykata e shkallës së parë, e në mungesë të rrethanave rënduese, e merr si rrethanë posaçërisht lehtësuese faktin se i akuzuari vetëm 2 ditë para kryerjes se veprës penale, i ka mbushur 18 vjet, ndërsa nga shkresat e lëndës nuk ka ndonjë dëshmi se ka të kaluar kriminale, që do të thotë se është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin.

    Prandaj duke i pasur parasysh këto rrethana konform Kodit të Procedurës Penale, ka vlerësuar se ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë.

    Kjo gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar si në dispozitiv të aktgjykimit është në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, në funksion të parandalimit të kryesit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe rehabilitimit të tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!