×
  • Lajme
  • Lajme / Zvicër

    Gjykata Federale refuzon lirimin me kusht të kosovarit që ka vrarë gruan

    Reporteri
    06 Shkurt 2025 | 18:39

    Sipas Gjykatës Federale, personi i dënuar për vrasjen e kryer në vitin 2009 identifikohet fuqishëm me të drejtën zakonore tradicionale shqiptare – Kanunin.

    Një kosovar i dënuar për vrasjen e gruas së tij nuk do të lirohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit 20-vjeçar, siç është rregull, në rastet kur i dëniari ka sjellje korrekte gjatë vuajtjes së dënimit. Gjykata Federale ka hedhur poshtë ankesën e tij, transmeton albinfo.ch. Ai kishte qëlluar gruan e tij në rrugë, në lokalitetin Riniken AG në vitin 2009, kur ajo donte të divorcohej prej tij.

    Në një vendim të publikuar të enjten, Gjykata Federale mbështet pikëpamjen e Gjykatës Administrative të Aargaut, sipas së cilës mund të supozohet një prognozë e pafavorshme për personin tashmë 57-vjeçar. Për një lirim me kusht nuk bëhet fjalë në rrethanat e dhëna. Nga mesi i shtatorit 2022, ai kishte kryer dy të tretat e dënimit.

    Një raport mjekësor ka zbuluar tek ai një çrregullim të kombinuar të personalitetit me komponentë narcistik dhe paranojak, shkruan sda.ch. Përveç kësaj, është identifikuar një gatishmëri “e natyrshme” e tij për të përdorur dhunën dhe një afinitet për armët. Siç shihet nga vendimi i Gjykatës Federale, personi i dënuar identifikohet fuqishëm me të drejtën zakonore tradicionale shqiptare – Kanunin.

    Duke marrë parasysh këta faktorë dhe terapinë ambulatore të pasuksesshme më parë, gjykata administrative kishte të drejtë të refuzojë kërkesën e të dënuarit për lirim me kusht, shkruan Gjykata Federale. Kosovari thuhet gjithashtu se ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen në burg për pamjen e tij arrogante, veçanërisht kur ndjente se i lëndohej krenaria.

    Burri i dhunshëm kishte vrarë gruan e tij me pesë të shtëna. Ai e kishte bërë këtë sepse kishte perceptimin se nderi i familjes së tij ishte fyer.

    Çifti kishte tre fëmijë së bashku. Para krimit, ai ishte arrestuar një herë pasi kishte kërcënuar me armë gruan e tij./Albinfo

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!